Ndërtimi i shtratit dhe bregut të lumit Mirusha në Gjilan është në fazën përfundimtare. Punimet kanë prekur lagjen “Dardania”, ku edhe do të bëhet trajtimi i ujërave të zeza deri te rruga qarkore.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se kjo pjesë është paraparë të kthehet në një shëtitore për banorët. Kreu i kësaj komune ka deklaruar se ata janë në fazën përmbyllëse të projektit, shkruan sot “Koha Ditore”. “Kjo është faza zhvillimore e ndërtimit të shtratit të lumit Mirusha, në pjesën ku fillon lagjja, “Dardania” e deri në rrugën qarkore, ku do të vendosen gypat e ujërave të zeza dhe gypat për ujërat atmosferikë.
“Projekti i Mirushës në pjesën e shëtitores tashmë të përfunduar sa i përket operimit të bizneseve dhe shfrytëzimit të saj nga pronarët dhe qytetarët, kanë kaluar çdo parashikim. Është rritur vlera e pasurisë së paluajtshme, e cila është private dhe janë zhvilluar më shumë se 20 biznese në atë pjesë që normalisht kanë krijuar edhe vende të reja të punës. Kjo na jep sinjalin se me përfundimin e tërësishëm të projektit në këtë pjesë të qytetit do të jetë i koncentruar një zhvillim i hovshëm dhe mundësi e madhe për sektorin privat, por edhe fluks të madh të qytetarëve në këtë zonë rekreative”, ka thënë ai.
“Është edhe afro një kilometër nga furra “Aroma” e deri tek ura në rrugën qarkore, ku edhe përfundon ky projekt”, ka thënë Zeqiria Fazliu, mbikëqyrës i punimeve.