Aftësohen 54 të rinj për punësim në Gjermani

Prishtinë | 29 Gus 2016 | 13:00 | Nga Albulena Misini Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Agjencia e Përkrahjes së Punësimit në Kosovë (APPK) organizoi takimin përmbyllës me 54 punëkërkuesit kosovarë, të cilët pas përgatitjes se tyre 10-mujore, në fillim të shtatorit do të fillojnë shkollimin dhe aftësimin trevjeçar profesional në profesionin “Përkujdesës/e ndaj të moshuarve” në Gjermani.

Bedri Xhafa, udhëheqës  i Përgjithshëm i APPK-së, ka thënë se pas realizimit të parë të trajnimit, 27 kosovarë tashmë gjenden në Gjermani dhe të gjithë e kanë përfunduar suksesshëm trajnimin. “Kjo edhe ka qenë arsyeja që gjermanët kanë kërkuar që të kenë edhe 54 punonjës të rinj nga Kosova”.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, tregoi se ky projekt kishte filluar një vit më parë. “Ideja ka qenë që të rinjve të Kosovës t’iu ofrohet mundësi punësimi në shtetet e Evropës. Ajo që më bën krenar mua, bashkë me juve, është aftësimi i shpejtë i gjuhës gjermane dhe që i plotësoni standardet për atje”.

“Një numër i madh i investitorëve të jashtëm që kanë ardhur të investojnë në Kosovë me vete kanë pasur nga një shqiptar, dhe shpresoj se kjo do të ndodhë edhe me juve”, ka thënë Abrashi.

Christina Gehlsen, zëvendës-ambasadore e Gjermanisë në Kosovë, tha se ky projekt është i rëndësishëm për Kosovën me 30 për qind të rinjve të pa punë.

“Do të jetë një rrugëtim me situata të vështira, por gjatë këtij rrugëtimi do të mësoni shumë dhe shpresoj se nuk do të pendoheni. Është e rëndësishme që përmes një shkollimi dhe aftësimi do të merrni përvoja që do t’ju shërbejnë edhe kur të ktheheni në Kosovë”, tha Gehlsen.

Në këtë ceremoni merrnin pjesë dhe drejtori i Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), James Macbeth, bashkëpunëtori ndërkombëtar i Diakonisë, Johannes Flothow, dhe përfaqësues të institucioneve të tjera vendore dhe ndërkombëtare.

Projekti “Migrimi legal i qytetarëve të Kosovës në kuadër të Arsimit dhe Aftësimit Profesional në Gjermani” është një bashkëpunim në mes të Agjencisë të Përkrahjes së Punësimit Kosovë dhe organizatës gjermane Diakonie nga Gjermania (Baden Württemberg , me përkrahjen e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtarë (GIZ).

Abrashi

APPK 1

AKPP

APPKK

Të ngjashme