Bashkimi Evropian do të vazhdojë ta ndihmojë financiarisht ndërmarrjen “Termokos” edhe në dy vitet në vazhdim në rehabilitimin e rrjetit dhe zgjerimin e gypave për kogjenerim.
Kështu tha shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova pas vizitës që i bëri ngrohtores së Prishtinës.
“Është kënaqësi të jem këtu me ju që të shoh funksionalizimin e këtij sistemi për të mirën e qytetarëve të Prishtinës në të cilin BE-ja ka investuar gati 14 milionë euro deri më tash në këtë projekt. Gjithashtu ju njoftoj se do të ketë edhe një grant tjetër prej 8.5 milionë euro për sistemin e ngrohjes së Prishtinës për dy vitet e ardhshme. Me investime të tilla do të rritet edhe numri i qytetarëve që do të përfitojnë nga ky sistem deri në 26 mijë qytetarë të tjerë”, ka theksuar Nataliya Apostolova shefe e zyrës së BE-së në Kosovë.
Kryeshefi ekzekutiv i “Termokosit”, Naser Canolli, e ka vlerësuar projektin e kogjenerimit, i cili është mbështetur nga Zyra e BE-së dhe donatorë të tjerë, si një projekt shumë të rëndësishëm, i cili ka treguar rezultate shumë të mira në dobi të qytetarëve dhe të ambientit.
“Projekti i kogjenerimit i cili është shumë i suksesshëm është duke vazhduar… Shpresoj që edhe në të ardhmen të kemi mbështetje nga ana e Komisionit Evropian me projektet e reja të cilat ka nevojë ‘Termokosi’, por edhe qytetarët e Prishtinës”, ka thënë Canolli.
Këtë ndërmarrje që nga fillimi i projektit të kogjenerimit e kanë ndihmuar financiarisht BE-ja, Qeveria e Kosovës, Komuna e Prishtinës, qeveria gjermane si dhe i janë dhënë shumë donacione të tjera me qëllim të përmirësimit të ngrohjes në Prishtinë.