Mos nënshkrimi i marrëveshjes për ndërtimin e infrastrukturës për gazin, po e sheh si kompleks të kryeministrit Albin Kurti, njohësi i çështjeve ekonomike, Mustafë Kadriaj, i cili thotë se këtë po e bën për inate personale, raporton Ekonomia Online.
Nga ekzekutivi kanë deklaruar se janë duke shqyrtuar mundësinë e ndërtimit të infrastrukturës së gazit dhe të një termocentrali. Mirëpo, gjatë ditës së premte, në medie ka qarkulluar lajmi se Qeveria i ka mbyllur derën këtij investimi duke vënë kushte të papranueshme për amerikanët.
Kadriaj thotë se një marrëveshje e tillë është në interes të Kosovës, teksa shton se me këtë do të ndikoj në zhvillimin ekonomik dhe në ruajtjen e ambientit.
“Në këtë rast unë e vlerësoj se kryeministri Kurti nuk duhet t’i ketë ato komplekse që ‘nëse nuk e ka nënshkruar diçka vet ai, duhet ta refuzojë’, por unë i bëj thirrje kryeministrit që duhet ta sheh interesin ekonomik, dhe nëse është në favor tonin dhe në një far mënyrë ndikon në përshpejtimin e zhvillimit ekonomik, në mirëqenie dhe në ruajtjen e ambientit, atëherë kjo është e favorshme, por nëse ne nuk kemi interes, e që në këtë rast kemi interes, atëherë ne duhet ta pranojmë edhe në mënyrë të verbër. Si ekonomist unë vlerësoj që duhet ta marr shumë shtruar Qeveria, dhe ta sheh interesimin e saj. Në përgjithësi ekonomia globale është e orientuar kah ekonomia e gjelbër”, u shpreh ai.
Kadriaj thotë se rrugëtimi i Kosovës si shtet është pasuar nga ShBA-ja, dhe me këtë rast, refuzimi i kësaj marrëveshje mund t’i sjellë dëme Kosovës, teksa shton se në afat më të gjatë, kjo do të konsiderohej si “autogol” nga Albin Kurti.
“Unë vlerësoj se Kosova si shtet është më e madhe se vet Qeveria aktuale dhe në këtë rast vetëm Qeveria Kurti mund t’i ngrij raportet me një shtet siç është ShBA-ja, por rrugëtimi i Kosovës si shtet e ka qartësuar se vendi jonë si partner strategjik dhe vendimtar për çdo hap e ka ShBA-në, duke u pasuar me Bashkimin Evropian, që në këtë rast, mund t’i bëjë dëm vetvetes dhe interesit të shtetit të Kosovës, por në afat më të gjatë, kryeministri Kurti ia jep një autogol vetvetes”, thotë Kadriaj për EO.
“Aspak Kosova nuk ka luks që ta refuzojmë sepse ne jemi një shtet në zhvillim e sipër dhe pa na ofruar dikush, ne duhet të hulumtojmë për investime serioze që ndikojnë në mirëqenie dhe zhvillim ekonomik, kështu që në këtë drejtim Kosova duhet të jetë shumë syçelë që t’i tëhollojë këto raste që nuk mund të vijnë shpesh, këtë rast investimin e gazsjellësit”, u shpreh ai.
Sipas Qeverisë dilema kryesore është kostoja e saj.
Kosova prodhon energji duke përdorur djegien e thëngjillit, që llogaritet si një prej kontribuuesve kryesorë në ndotjen e ajrit.