Komisioni për Buxhet dhe Financa ka mbajtur mbledhjen e radhës ku ka shqyrtuar Projektligjin për buxhetin.
Ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se Qeveria e kaluar nuk i ka planifikuar mirë shpenzimet, prandaj edhe buxheti i planifikuar prej 2 miliardë eurove për vitin 2017 do të ulet në 1.7 miliard euro.
Sipas tij, është dashur që t’i gjejnë rreth 90 milionë euro për t’i mbuluar mungesat buxhetore, raporton Ekonomia Online.
“Vlera e kërkesave për financim shtesë kalon shumë prej mbi 90 milion euro, 26 milionë për kategoritë e dala nga lufta, rreth 50 milionë për autostradën “Arbën Xhaferi”, kemi dhënë edhe për 2 milionë zgjedhjet lokale”.
Sa i përket sigurimeve shëndetësore, ministri tha se aktet nënligjore ende janë duke u shikuar për shkak se kjo mund të dëmtoj buxhetin.
Lumir Abdixhiku, deputet i LDK-së, ka pyetur ministrin se kur parashihet seleksionimi i veteranëve. Madje ai pyeti ministrin se kur pritet që marrëveshja me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) të fillojë përsëri.
Dardan Molliqaj, deputetët i VV-së ka kërkuar nga ministri që të sjell një dokument që të shihet se cili ishte ndikimi i autostradave në ekonominë e vendit.
Një projekt që ka gjasa të mos nis fare është edhe autostrada për në Gjilan. Kjo sipas, ministrit është larguar për shkak se nuk ka filluar asnjë procedurë në këtë projekt.
Ndërsa Naser Osmani, deputetët i LDK-së, tha se është për keqardhje që investimet kapitale kanë rënë në 198 milionë.
Ministri pati sqarim në këtë pikë duke thënë se zvogëlimi i investimeve kapitale ka të bëjë me heqjen e klauzolës së investimeve, por premtoi rritje ekonomike prej 4%.
Por Osmani tha se shuma që do të duhet të paguhet për kategoritë e luftës do të jetë 90 milionë euro e kjo është shumë për buxhetin.
Hamza me këtë rast tha se sa i përket veteranëve është çështje që do të jemi të detyruar ta zbatojmë ligjin dhe se duhet ta sigurojmë shumën e mjaftueshme për këtë kategori.
Me pesë vota për, tri kundër, një abstenim, komisioni miratoi në parim Projektligjin për buxhetin e vitit 2017.
Gjithashtu komisioni ka vendosur që nesër do të dorëzoj në Kryesinë e Kuvendit Projektligjin për buxhetin.