Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor ka miratuar nismën për procedim të Projektligjit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Qeveri.
Ky vendim u mor në mbledhjen e mbajtur sot. Pas mbledhjes së komisionit deputeti i VV-së, Liburn Aliu, tha se ky projektligji ka mbetur pa u miratuar në legjislaturën e kaluar për shkak të zgjedhjeve.
Sipas tij, ai do t’iu nënshtrohet sërish procedurave, por pret që të përfundojë shumë shpjet ngase ai veç është gati, raporton Ekonomia Online.
“Ligji procedohet tutje. Ne si komision e filluam që edhe një herë projektligji i hartuar në legjislaturën e kaluar, i cili nuk ka arritë me shku deri në fund për shkak të zgjedhjeve që kanë ndodhur. Tash ky legjislacion të njëjtin projektligj e trajton tutje, e fut edhe një herë në proces. Normalisht, kjo shkon përmes Qeverisë”.
“Ne e bëmë atë nismën me nënshkrime sot. Besoj që shumë shpejt do të vijë në Kuvend dhe besoj se do të kalojë, nuk ka ndonjë problem. Hapat proceduralë shkojnë që përmes Qeverisë prapë kthehet në Kuvend. Drafti i projektligjit tashmë është i gatshëm vetëm se duhet të trajtohet edhe një herë në procedura. Tash si procedurë mund të jetë shumë më e shkurtër dhe shumë më e shpejtë për shkak se draftin e kemi dhe të vijë drejt në Kuvend pastaj”.
Për raportim ishte i ftuar Idriz Blakaj, drejtor i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, raporton Ekonomia Online.
Mbledhja ishte ndërprerë në mëngjes për të vazhduar pasdite për shkak të vazhdimit të seancës së Kuvendit.
Gjatë paradites, por edhe në vazhdimin e mbledhjes, Blakaj dhe kryetari i komisionit Daut Haradinaj kanë zhvilluar debat të ashpër për gjendjen e kompleksit memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Blakaj tha se gjendja e Kullave të Jasharajve është alarmante, dhe nëse edhe sot bëhet Ligji për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” është vonë.
Haradinaj tha se nuk janë duke skutuar për gjetjen e fajtorit, por përmirësimin e gjendjes. Ai ka kërkuar nga Blakaj që të jetë i qartë në përgjigjet që jep para anëtarëve të komisionit.
“Ti je para komisionit funksional i cili të ka ftuar për një situatë jo të mirë. Ti duhet me fol për memorialin”.
Ai ka përsëritur se nuk ka munguar buxheti, por vullneti për zgjidhjen e kësaj çështje.
“Pare ka. Duhet me kontraktu me i sajuar dëmet; me vendosë ndonjë kamerë të sigurisë. Prioritet janë sanimet, rregulloni ato se na bëtë përrallë. Duhet me bisedu me kryetarin e komunës, me i thanë të sigurojë roje”.
Deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri, ka kërkuar krijimin e një komisioni për mbikëqyrjen e shpenzimeve buxhetore për kompleksin.
Ganimete Musliu, deputete e PDK-së, tha se po rrezikojmë të humbim një pjesë të historisë tonë, nga moskujdesi i treguar.
Enver Hoti, deputet i Nismës, ka kërkuar që Blakaj të japë dorëheqje.
“Kishte qenë mirë zoti Blakaj me dhanë dorëheqje. U fol për 9 milionë euro. Janë disa punë që është dashtë me u krye. Nuk ka pasur asnjë pengesë ligjore. Ka vetëm një rrugë që qeveria të ndërhyjë urgjentisht, ligji të kthehet në pikën zero. Pozitë e opozitë s’kemi qenë në gjendje ta procedojmë ligjin”, u shpreh Hoti.