Komisioni parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione ka proceduar në Kryesi Ligjin për Lirinë Fetare me plotësim ndryshimet e bëra. Me 8 vota pro dhe 2 kundër anëtarët e këtij komisioni votuan atë.
Kundër votuan deputetë të Listës Serbe dhe të Partisë Socialdemokrate, raporton Ekonomia Online.
Miljena Nikoliq tha se Lista Serbe nuk do ta votojnë këtë Projektligj sepse nuk duan të marrin pjesë në shkeljen e Rregullores së Kuvendit.
Sipas saj, të gjitha kërkesat që ka parashtruar kjo parti sa i përket ndryshimeve nuk janë marrë parasysh
“Nuk kanë qenë 15 amendamente po 14 dhe 7 amendamente janë pranuar. Kemi kërkuar dy përfaqësues të komunitetit serbe dhe kjo nuk është pranuar. Zëvendësdrejtori kemi kërkuar të jetë nga komuniteti serb dhe as kjo nuk është pranuar”.
“Kemi kërkuar edhe harmonizim gjuhësor dhe as kjo nuk është pranuar. Ne dëshirojmë që ky ligj të kaloj, por Lista Serbe nuk voton për ato amendamente që më vonë janë shtuar. Ne nuk jemi për të përkrahur Ligjin në tërësi sepse nuk janë përkrahur amendamentet që i ka sjellë Lista Serbe”.
Frashër Krasniqi përmendi disa nga arsyet pse partia Social Demokrate nuk mund të votoj pro këtij Ligji, raporton EO.
“Ne jemi shumë në favor që Kosova të ketë një Ligj për liritë fetarë dhe kjo çështje të rregullohet si Ligj. Ligji është i mirë dhe nuk ka problem, por nuk mund ta votojmë për shkak të disa pikave të këtij ligjit që janë problematike për Kosovën”.
“Për neve është problematike përcaktimi i bashkësive fetare kisha ortodokse cilësohet si kishë ortodokse serbe sepse kjo shkakton probleme që lidhen me trashëgiminë kulturore ortodokse në Kosovë”.
“Pjesa tjetër problematike ka të bëjë me trashëgimin kulturore. Ndërkohë që është refuzuar prej komisionit edhe amendamenti i cili në pamundësi qe të largohet fjala serbe nga kisha ortodokse dhe të bëhet kisha ortodokse shqiptare dhe kjo është refuzuar”.
“Problem tjetër ka qenë fondet ku thuhet qe qeveria nuk financon asnjë bashkësi fetare. Kjo është në rregull mirëpo tash propozimi i komisionit funksional është të fshihet mirëpo ajo nuk duhet të fshihet sepse kjo len hapësirë me menduar që shteti po përzihet në çështjet e financim të fesë”, tha ai.
Kryetarja e komisionit Duda Balje tha se nuk mund të bëjnë një Ligj vetëm Listën Serbe.
“Nëse është arsye nga lista serbe se janë shkelur rregullat e kuvendit atëherë unë mund të bij në letër se rregullorja nuk është shkelur. Nëse është problemi vetëm atëherë unë e sjellë. Ne nuk jemi me bë një Ligj vetëm për Listën Serbe”.
“Ju si anëtarë duhet të punoni për të mirën e të gjithëve jo vetëm për Listën Serbe. Komunitet nuk janë vetëm serbet në Kosovë, ka edhe komunitete tjera. Ju s’jeni pronar i komuniteteve në Kosovë, ju jeni këtu edhe ne tjerët jemi këtu. Nëse unë duhet me bë një Ligj vetëm për serbët unë nuk votoj”.
Teuta Haxhiu, nga AAK tha se mos përkrahja e Ligjit nga Lista Serbe është jo etike, ngase shumica e kërkesave të tyre janë plotësuar.
“Duhet ta dimë të gjithë që janë 13 amendamente të Listës serbe qe ne i kemi përkrah por amendamentet tjera që janë kundër kushtetuese jo vetëm që nuk i kemi përkrah por as që është dashtë të vijnë në kuvend”.
“Lista Serbe duhet të dije pse janë në Kuvend dhe shumë shpesh po e keqpërdorin. Unë konsideroj që është jo etike dhe lojë politike mos përkrahja e këtij Ligji. Është mirë që ky Ligj të kalojë”.
“Në dëgjimin publik që ne kemi mbajtur nuk kanë qenë përfaqësues të kishës ortodokse. Ju keni kërkuar që zv.drejtori i komisionit të jetë serb mirëpo kjo pozitë nuk ekziston, ne nuk jemi me hap vende pune. Prej 7 anëtarëve keni kërkuar 2 të jenë serb dhe kemi pranuar edhe pse është diskriminim”.
Lirije Kajtazi, nga LDK tha se përmes amendamenteve të Ligjit për fe, nuk shkelet asnjë e drejtë e komuniteteve.
“Ne jemi këtu si deputet dhe komision mi respektuar të drejtat e gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë dhe jo atyre jashtë Kosovë”.
“Ne me punën që kemi bo si komision ja kemi dal mi rregulluar të gjitha amendamentet dhe kjo na tregon që përmes këtyre amendamenteve nuk i kemi shkelur të drejtat e komuniteteve. Një amendament nuk është pranuar sepse nuk kemi të drejtë si komision të vendosim”, tha ajo.