Padi ndaj Qeverisë dhe deputetëve e protesta në rrugë kanë paralajmëruar disa sindikata të punëtorëve në Kosovë nëse Kuvendi miraton në lexim të dytë Projektligjin për punëtorët e arsimit shqip të viteve ‘90.
Kjo, pasi sindikatat po konsiderojnë se Qeveria dhe deputetët i kanë diskriminuar kategoritë e tjera që kanë shërbyer në vitet ’90, duke favorizuar vetëm punëtorët e arsimit, shkruan sot “Koha Ditore”.
Projektligji, i cili rregullon statusin për punëtorët e arsimit që kanë kontribuar në vitet ’90, ka kaluar në leximin e parë në Kuvend më 17 maj dhe shpejt pritet të dërgohet në lexim të dytë.
Sindikatat diskriminimin po e bazojnë duke u mbështetur në Ligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti, i cili parasheh që t’u njihet stazhi i punës për pension kontributdhënës për vitet 1989-1999 punëtorëve të arsimit, të shëndetësisë dhe të tjerëve që kanë punuar në sistemin e Republikës së Kosovës.
Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, ka bërë të ditur se u ka dërguar letër kryeministrit dhe të gjitha grupeve parlamentare për atë që mund t’i presë nëse miratohet ky projektligj.