Deputeti dhe nënkryetari i Partisë Socialdemokrate, Dukagjin Gorani, ka deklaruar se kjo parti politike nuk do të pranojë që në mënyrë të pjesshme t’i miratohen në Kuvend dokumentet e saj për dialogun me Serbinë.
Ai ka bërë me dije se projektrezoluta dhe projektligji për dialog i këtij subjekti politik mund të pranohen në tërësi nga Kuvendi ose të refuzohen në tërësi.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Gorani ka thënë se çdo gjë tjetër është humbje kohe dhe dëshmi e mosdijes politike.
“Këtu ka vetëm dy zgjidhje: ose ta hedhin poshtë në tërësi përpjekjen e PSD-së ose ta pranojnë në tërësi. Çdo gjë tjetër është humbje kohe dhe dëshmi e mosdijes politike”, ka thënë Gorani.
Ai ka treguar se dy dokumentet e PSD-së e formësojnë institucionin negociator të Kosovës.
“Me të qartësohen mandati, përfaqësimi, vendimmarrja dhe llogaridhënia në delegacionin shtetëror. Po ashtu, fuqizimi i saj realizohet përmes Projektligjit për Dialogun i cili duhet të votohet në Kuvend. Këto dy dokumente janë të ndërlidhura njëri me tjetrin. Rezoluta pa ligj nuk ka fuqi detyruese, kurse ligji pa rezolutë nuk ka kuptim politik”, është shprehur ai, duke shtuar PSD-ja dhe grupi i saj parlamentar e kuptojnë dialogun me Republikën e Serbisë si proces të paevitueshëm, edhe pse i padrejtë politikisht dhe historikisht.
“Tash e një vit ajo që pamë nga pushteti vendor ishte amatorizëm politik dhe paaftësi qeverisëse karshi një çështjeje kaq me rëndësi. Për të satën herë u kuptua se udhëheqja jonë është analfabete për këso punë, ndërkohë që pjesa më e madhe e opozitës jeton me shpresë se bisedimet mund të shtyhen për ndonjë kohë dhe situatë më të volitshme për të”, ka vlerësuar Gorani.
Në këtë intervistë, ai ka folur edhe për rolin që presidenti i vendit do ta ketë në këtë proces sipas këtyre dy dokumenteve.
“Roli i presidentit mbetet ai që e përcakton Kushtetuta e Republikës, përfaqësimi i vendit. Por, jo edhe udhëheqja e bisedimeve kaq të rëndësishme. Kjo nuk parashihet e as nuk nënkuptohet në Kushtetutë. Kosova nuk ka sistem presidencial, andaj nuk duhet të humbim kohë duke diskutuar diçka të kotë”, ka thënë Gorani.