Kreu i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj është arrestuar mbrëmë, pak para se të hynte në emisionin “Pressing” në T7, ku ishte i ftuar për të folur për protestën e javës së kaluar.
Arrestimi i Molliqajt zgjoi reagime të shumta. Partitë opozitare e quajtën arrestim politik nga pushteti, ndërsa ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka treguar sesi e ka parë këtë aksion.
Forca të mëdha policore morën pjesë në arrestimin e Molliqajt, e këtë po e sheh si të panevojshme ish-kryepolici, Rashit Qalaj.
Qalaj për Periskopin ka thënë se arrestimi i Molliqajt është dashur të bëhet nga dy-tre policë e jo më shumë.
“Mendimi im është që z. Molliqaj me të drejtë është arrestuar mirëpo kam vërejtje në mënyrën se si është arrestuar. Policia është e autorizuar që ta përdorë forcën mirëpo në mënyrë proporcionale pra varësisht nga rezistenca të përdorë edhe forcë proporcionale. Sa i përket numrit të policëve te angazhuar në këtë arrestim mendoj që ka qenë një numër i madh pra i pa nevojshëm. Në këto raste duhet që urdhër arrestin ta zbatojnë dy ose tre policë ndërsa të tjerët të qëndrojnë në gatishmëri diku aty afër që në rast nevoje ( nëse arrestimi pengohet nga persona tjerë ) të mund të angazhohen shpejt.”.
Qalaj po ashtu tha se arrestimi i Molliqaj është dashur të ndodhë në ditën pas përfundimit të protestës.
“Unë mendoj që z. Molliqaj ka qenë dashur të arrestohej në momentin kur e ka goditur Policin . Mendoj që Policia e Kosovës qëllimisht nuk e ka arrestuar në ato momente për shkak se protesta ka mundur që të eskaloj në protestë të dhunshme por së paku është dashur që ta arrestojnë me mbarimin e protestës. Askush nuk guxon që ta godas Policin e Kosovës.”, ka thënë ai.
Ndërkohë, arrestimi i Molliqajt ngjalli reagimin e krerëve të partivë opozitare dhe analistëve.
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se arrestimi i dhunshëm i Molliqajt ka shije të një hakmarrjeje të pastër politike.
“Arrestimi i dhunshëm i Kryetarit të PSD-së Dardan Molliqaj, ka shije të një hakmarrjeje të pastër politike; prandaj ky akt, për mua dhe LDK-në është i papranueshëm dhe kundër standardeve bazike të demokracisë”, ka shkruar ai në Facebook.
I pari i AAK-së, Ramush Haradinaj, deklaroi se çështja e arrestimit të Molliqajt është pak e çuditshme, pasi kauza e protestës kundër shtrenjtimit të rrymës ishte e drejtë.
“Policia e Kosovës dhe Prokuroria i ka procedurat e parapara për këto raste nëse ka shkelje të ligjit, mendoj se nuk kanë mund ta arrestojnë, por kanë mund ta dërgojnë një ftesë. Çështja e arrestimit është pak e çuditshme për mua. Kauza e protestës ishte mjaft e drejtë për rritjen e shtrenjtimit të rrymë”, tha Haradinaj.
Kryetari Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, tha se arrestimi i Molliqajt është i padrejtë dhe i panevojshëm. Sipas tij, arrestime të tilla nuk shihen në demokraci.
Tutje, Pacolli tha se Molliqaj do të lajmërohej vetë nëse do të kishte ftesë nga Policia e Kosovës.
“Arrestimi sonte i Dardan Molliqajt është i padrejtë dhe i panevojshëm për shtetin demokratik që kemi ndërtuar deri tash. Arrestime të tilla nuk shihen në demokraci. Ky është lajm i keq për demokracinë kosovare. Solidarizohem gjithmonë me policinë e Kosovës por jo edhe me politizimin e saj. Une jam i bindur se po të kishte ftesë Molliqaj vet do të lajmërohej aty ku do të ftohej”, ka shkruar Pacolli.
Kujtojmë që PSD ka kërkuar lirimin e tij.