Në korrikun e këtij viti në mënyrë të rëndë u vra K. Veseli, 9 vjeç, nga komuna e Fushë Kosovës. Ai dyshohet se u dhunua, e pastaj u godit me mjete të forta nga një 19-vjeçar. I mituri sa ishte gjallë e kishte njoftuar policinë e prokurorinë për dhunën që po e përjetonte. Mirëpo, shteti nuk i ishte ofruar mbrojtje. Për këtë rast, në vazhdimësi është raportuar për neglizhencën nga ana e institucioneve të drejtësisë. Andaj, qe disa muaj dy prokurorë kosovarë janë duke u hetuar nga ana e Këshillit Prokurorial të Kosovës me dyshimet për neglizhencë në punë. Për njërin nga këta dy prokurorë, komisioni tashmë ka dalë me gjetje dhe propozime. Shkeljet llogariten të jenë të mëdha nga ana e Prokurorisë. Është propozuar që për njërin nga prokurorët të shqiptohet vetëm masë gjobitëse e jo suspendim ose propozim për shkarkim.
Një trupë e formuar brenda Këshillit Prokurorial të Kosovës për të nisur hetime ndaj dy prokurorëve kosovarë, Ruhan Salihut e Raze Loshaj, të cilët ishin marrë fillimisht me rastin e fëmijës 9-vjeçar nga Fushë Kosova, K.Veseli i cili u vra në muajin korrik të këtij viti nga një 19-vjecar, tashmë ka dalë me propozime.
Në hetimet e bëra nga ana e kësaj trupe, për më shumë se tre muaj, janë vënë në pah disa shkelje të cilat këta prokurorë po dyshohet se i kanë bërë gjatë hetimeve për rastin e keqtrajtimit të K.Veselit, 9-vjeçarit nga Fushë Kosova.
Nga burime brenda hetuesisë kosovare merr vesh se dy prokurorët Ruhan Salihu e Raze Loshaj, të cilët fillimisht ishin marrë me këtë rast, javën që e lamë pas, janë intervistuar nga ana e komisionit disiplinor të cilin e ka formuar Këshilli Prokurorial i Kosovës për ta hetuar këtë rast.
Komisioni nga hetimet e bëra, ka dalë me gjetje, se këta prokurorë kanë kryer shkelje etike gjatë procesit të punës. Andaj për njërin nga ta, sipas burimeve , procedura e hetimit po vazhdon, ndërkohë që për tjetrin prokuror komisioni ka propozuar që të gjobitet me pagë, masë kjo e cila është njëra ndër më të rëndat që ipet nga ana e këtij komisioni.
“Janë propozuar disa masa ndaj prokurorëve, saktësisht njërit prej tyre, sepse për tjetrin është duke u zhvilluar procedura. Masa e propozuar është kogja e rëndë”.
E raporti i komisionit tashmë është aprovuar nga ana e zyrtarëve të Këshillit Prokurorial.
Për këtë vendim, palët, pra prokurorët kanë të drejtë që të bëjnë ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës.
I ndjeri K.VESELI
Komisioni për raste të tilla ka të drejtë që të jap vërejtje jo publike, publike, ulje në detyrë si dhe dënim me gjobë, pagesë, gjysma e pagës.
Megjithëkëtë, Express ka provuar t’i kontaktojë edhe anëtarët e Këshillt Prokurorial, mirëpo ata nuk kanë qenë të qasshëm për gazetën. Ani pse në një përgjigje zyrtarë të këtij këshilli patën deklaruar se hetimet për këtë rast janë duke vazhduar.
“Lidhur me pyetjet më lart ju informojmë se kjo çështje është në procedurë e sipër dhe është duke u zhvilluar në përputhje me Rregulloren për procedurën disiplinore të prokurorëve dhe së shpejti pritet të dalë në Këshill dhe të vendoset për të”, thuhet në përgjigje.
Por, hetime për këtë rast përveç Inspektoratit Policor e Këshillit Prokurorial ka nisur edhe zyra e Avokatit të Popullit.
“Inspektorati Policor i Kosovës me të pranuar informacionin lidhur me rastin e vdekjes së dyshimtë të të miturit nga Fushë Kosova, menjëherë ka filluar grumbullimin, shqyrtimin dhe verifikimin e informacioneve lidhur me këtë rast. Varësisht nga gjetjet, IPK-ja do të ndërmarrë veprime bazuar në mandatin e saj”, kanë deklaruar kohë më parë për Express, zyrtarë të Inspektoratit Policor të Kosovës.
K.V., i mituri nga Fushë Kosova, u gjet i vrarë para një banese më 11 korrik. Sipas familjes së tij, ai ishte dhunuar vazhdimisht nga S.O., i dyshuar që po mbahet në paraburgim nën dyshimin se ka kryer veprën penale: vrasje e rëndë.
Dhunimin e parë seksual, fizik e psikologjik, tashmë i ndjeri K.Veseli, dyshohet se e kishte përjetuar në moshën 8-vjeçare. Ai bashkë me nënën e tij, Makfiren, vëllezërit e motrat, po kërkonin gjësende nëpër kontejnerë në lagje të ndryshme të Fushë Kosovës.
Pikërisht derisa ishte “në vendin e tij të punës”, duke kontrolluar nëpër bërllok për të siguruar pak para, K.Veseli po ngacmohej nga një djalë 10 vjet më i madh se ai, nga 19 vjeçari me emrin Sefedin Osmani.
Makfirja- nena e te ndjerit, K.Veseli 9-vjeçar
Rastin, K.Veseli bashkë me nënën e tij, e kishte raportuar në policinë e Kosovës, në janarin e këtij viti. Por, Sefedini, që tani është i dyshuari kryesor për vrasjen e djalit të mitur të komunitetit rom, edhe pse po përballej me akuza për abuzim seksual, po vazhdonte të qëndronte në liri.
9-vjeçari i ndjerë
Policia e Kosovës në marsin e këtij viti, ishte mjaftuar vetëm me një kallëzim penal ndaj personit të dyshuar për kryerjen e këtij akti.
Qendra për Punë Sociale: Në muajin mars, K.Veseli na tregoi se u dhunua seksualisht
Për muaj me radhë tashmë i ndjeri dhe nëna e tij Makfirja ishin ankuar pranë institucioneve përgjegjëse, duke kërkuar ndihmë, raporton Gazeta Express.