U raportu se zyrtarja e Komunës së Junikut, Blerina Sallaj, bashkëpunëtore e kandidatit të AAK-së për kryetar të kësaj komune, Agron Kuçit është kapur në flagrancë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. E njëjta dyshohet se ka tentuar që të dërgojë në Mynih të Gjermanisë material të falsifikuar zgjedhor.
Se Sallaj tashmë është duke u intervistuar në Drejtorinë e Krimeve të Rënda e ka konfirmuar edhe prokurori për Sinjalin.
Ajo ishte nisur për në Gjermani, me ç’rast Policia e Kosovës kishte gjetur në bagazhin e saj me qindra dokumente të votuesve të diasporës në komunën e Junikut të përgatitura paraprakisht, në mënyrë të organizuar në emër të votuesve të Junikut nga diaspora. Me këtë rast Policia ka sekuestruar telefonin e saj dhe një laptop me fletëvotime të diasporës dhe listën e votuesve në Junik për kryetar të komunës së Junikut në zgjedhjet e 14 nëntorit, shkruan Gazeta Sinjali.
Dosja që dyshohet të jetë e falsifikuar përmban kopje të letërnjoftimeve, lista me emra të 200 personave, të përgatitura për votim nga diaspora.
Sallaj ka deklaruar se këtë material ka pasur të ia dërgojë vëllait të kryetarit të komunës së Junikut, Agron Kuçit.
Sipas burimeve të Sinjalit, Blerina Sallaj është një nga bashkëpunëtoret më të ngushta të Agron Kuçit, i cili është kandidat nga AAK për kryetar të Junikut. Dyshohet se e arrestuara në bashkëkryerje edhe me persona të tjerë, ka tentuar që të dërgojë në mënyrë të organizuar votat nga diaspora në mbështetje të kandidatit Agron Kuçi.