Prokurori i rastit të sulmit ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, Abdurrahim Islami, pretendon se disa fotografi të ardhura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e dëshmojnë se ky akt është kryer nga aktivistët e Vetëvendosjes, të akuzuar për këtë sulm.
Në seancën e sotme, prokurori Islami tha se dëshmitë e vërtetojnë pretendimin që ai e ka shkruar në aktakuzë.
Katër dëshmitarë do të dëshmojnë sot në gjykimin ndaj aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të akuzuar për sulmin në Kuvendin e Kosovës.
Të gjithë të akuzuarit për terrorizëm, në mesin e të cilëve edhe një deputet i Kuvendit të Kosovës i votuar në zgjedhjet e 11 qershorit, Frashër Krasniqi, refuzuan të ngriten në këmbë gjatë leximit të aktakuzës.
Të akuzuarit tjerë janë Adea Batusha, Atdhe Arifi, Egzon Haliti.
Ata dyshohen për sulmin me mjet shpërthyes kundër Kuvendit të Kosovës që ka ndodhur në mbrëmjen e 4 gushtit të vitit të kaluar.
Lidhur me sulmin në Kuvendin e Kosovës, përpos të akuzuarve të tanishëm, të akuzuar ishin edhe Petrit Ademi, ndaj të cilit pushuan hetimet, si dhe Astrit Dehari, i cili vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
“Heset Ramadani do të dëshmojë se të pandehurit e kanë blerë motorrin për çmimin prej 500 euro dhe kemi të bëjmë me motorin që është gjetur pas kryerjes së veprës penale ndërsa nga deklaratat e dëshmitarëve Naser Mustafa do të vërtetohet se telefoni nga i cili është dërguar emaili është blerë nga Adea Batusha”, tha Islami në seancë.
“Edhe dëshmitarët tjerë do të vërtetojnë se pas natës kritike me të njëjtin motor janë larguar nga vendi u ngjarjes dy të pandehurit dhe po ashtu edhe provat e tjera në shkresat e lëndës si raportet e vendit të ngjarjes së bashku me fotodokumentacion gjithashtu përgjigja nga Google do të vërtetojë vendin nga ku është dërguar emaili e gjithashtu procesverbalet mbi identifikimin e personave thirrjet telefonike incizimet nga kamerat e sigurisë në rrugët e Prishtinës e po ashtu në këtë drejtim edhe fotot që dëshmojnë lëvizjen e motoçikletës nga momenti i daljes në rrugë deri në momentin ku është gjetur i njëjti pas kryerjes së veprës penale”, shtoi ai.
“Pastaj fotot e qartësuara të ardhura nga ShBA që deri më tani nuk kanë qenë pjesë e shkresave të lëndës e gjithashtu procesverbali i seancës së paraburgimit i datës 30. 08. 2016 nga i cili vërtetohet se i pandehuri Atdhe Arifi ka pranuar se ka blerë motoçikletën së bashku me të akuzuarin Egzon (Arifi) dhe të ndjerin Astrit (Dehari)”, tha Islami, raporton KALLXO.com.
“Në bazë të këtyre provave pa mëdyshje do të vërtetohet se të akuzuarit kanë kryer veprën penale”, tha ai.
Por Ramiz Krasniqi, avokat i të akuzuarit Atdhe Arifi, i sfidoi pretendimet e prokurorit me deklarata të liderëve politikë të bëra në kohën para se të ndodhte sulmi.
“Në aktakuzë përmendet aspekti politik i veprës së terrorizmit dhe thuhet se të akuzuarit kanë pas për qëllim që Kuvendi të mos e ratifikojë marrëveshjen e demarkacionit dhe të shkaktojë frikësim dhe ky konstatim është tërësisht jo i bazuar sepse demarkacioni nuk është bërë për shkak të sulmit por është tërhequr nga kryeministri Mustafa siç ka thënë ai për shkaqe të sigurisë pra ai sikur e ka ditur për sulmin në Kuvend ndërsa në një intervistë nq RTK ka thënë se demarkacioni është tërhequr për shkak të mosgatishmërisë së disa deputetëve përfshirë edhe të LDK-së për ta votuar demarkacionin”, tha Krasniqi.