Prokuroria e Pejës në pritje të ekspertizës për falsifikim të dokumentit zyrtar

Prishtinë | 18 Qer 2018 | 09:56 | Nga

Hetimet e nisura para nja gjysmë viti nga Prokuroria Themelore e Pejës për një dokument zyrtar, që mban vulën e zyrës së kryetarit dhe nënshkrimin e tij, e i cili dyshohet se ishte falsifikuar me qëllim të zhvatjes së parasë publike, ende nuk kanë përfunduar, ndonëse ishte deklaruar nga prokuroria se ato do të përmbyllshin muajin e kaluar.

Prokuroria kishte lëshuar urdhrat për disa ekspertiza për dokumentin e dyshuar dhe rezultatin e tyre e kishin pritur gjatë muajit maj dhe të përfundonin të gjitha hetimet, për të vendosur pastaj për veprimet e mëtejshme, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Ende jemi në pritje të ekspertizës e më pas do të vendoset për epilogun e këtij rasti”, thotë zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Ersan Qavolli.

Në listën e hetimeve lidhur me këtë dokument, për të cilin hetimet kishin nisur dhjetorin e kaluar me iniciativë të kryetarit të Komunës, Gazmend Muhaxheri, kanë qenë zyrtari në kabinetin e kryetarit të Pejës, K. S., zyrtari ligjor në Drejtorinë e Çështjeve Pronësore-Juridike, B. SH., dhe E.D. pronar i një kompanie nga Peja për tërheqjen e automjeteve.

Të ngjashme