Prokuroria e Prizrenit ka ngritur aktakuzë për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtarPProkuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit N.M.,në cilësinë e personit zyrtar si inspektor komunal i ndërtimit në Prizren, për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas aktakuzës, i akuzuari N.M., në periudhën kohore prej vitit 2016-2017 në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar si inspektor komunal i ndërtimit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij, me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin përkatësisht për investitorët N.K., dhe S.V.
Në këtë mënyrë, i akuzuari N.M., nuk ndërmerr konkluzion për rrënimin e katit të tetë (8) të kompleksit ndërtimor në lagjen ”Jeta e re” në rrugën ”Xheladin Hana”, i cili ka pasur leje për ndërtim për shtatë kate (P+B+7) dhe ka ndërtuar një kat pa leje (P+B+8).
Në anën tjetër, ka mundësuar që në objektin e banimit kolektiv në rrugën “Rexhep Bajraktari” ndërtimin edhe të tri (3) kateve shtesë pa leje edhe pse leja e ndërtimit ka qenë për dy kate (B+P+2).
Me këto veprime, i akuzuari ka kryer veprën penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par. 1 të KPRK-së.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.