Prokuroria Themelore e Prizrenit demanton deklaratat e kryetarit Haskuka

Prishtinë | 02 Tet 2018 | 11:22 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore e Prizrenit ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit Mytaher Haskuka, i cili ka akuzuar prokurorinë për mbrojtje të paligjshmërisë.

Reagimi i plotë:

“Prokuroria Themelore e Prizrenit, reagon ndaj shkrimit të publikuar në rrjetet sociale nga Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, me titull “Vetëm kur ka rend dhe ligj, ka zhvillim ekonomik”, në të cilin ndër të tjera thuhet se nuk kanë hasur në bashkëpunim nga Prokuroria e Prizrenit dhe se kanë marrë telefonatë kërcënuese nga Prokurorja kujdestare me fjalët, se “kryeprokurori rajonal ju urdhëron që t’ i largoni menjëherë shiritat ndalues”!

Të thënat e lartcekura, nuk qëndrojnë. Prokuroria Themelore në Prizren, përkatësisht Kryeprokurori i kësaj Prokurorie as në këtë rast dhe në asnjë rast tjetër nuk ka dalë në mbrojtje të pa ligjshmërisë.

Kryeprokurori Shala, nuk është përzier për asnjë moment në rastin në fjalë, ndërsa prokurorja kujdestare ka vepruar me përgjegjësi, paanshmëri dhe pavarësi të plotë konform dispozitave ligjore për të cilat është e obliguar që t’ i zbatoj.

Mospranimi teknik i objektit është kundërvajtje dhe jo vepër penale, andaj ndërhyrja e Prokurorisë në këto raste është e pa nevojshme. Ndërsa, sa i përket dyshimit për heqje të shiritave, personat përgjegjës do të ndiqen penalisht konform dispozitave ligjore të parapara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore e Prizrenit, është e vendosur dhe e pa lëkundur në luftën kundër kriminalitetit dhe se në rastin konkret nuk ka pasur asnjë tendencë që të ndikohet apo të pengohet puna e inspektoratit komunal, përkundrazi bashkëpunimi me Komunën e Prizrenit ka qenë i mirë në të kaluarën dhe do të vazhdojë të jetë i tillë edhe në të ardhmen”.

Të ngjashme