Prokuroria e shtetit gjatë ditës së sotme e ka intervistuar pronarin e kompanisë së Stiropolit në Mushinikovë të Prizrenit. Në biznesin e këtij të fundit, të shtunën ka humbur jetën një 17-vjecar i cili kishte pak ditë që kishte nisur punë në ndërtimtari. Për këtë tragjedi janë intervistuar një numër i dëshmitarëve. Ndërkohë që as edhe një person nuk ka përfunduar prapa grilave. Prokuroria të hënën ka dhënë detaje për Express rreth këtij rasti.
Kishte dhjetë ditë që po punonte një punë të cilës nuk ia kishte aspak zanatin-, në ndërtimtari. Këtë punë Seldin Aliu, 17- vjeçar nga fshati Lubizhdë i Prizrenit e bëri vetëm për afro dy javë me shpresën që gjatë pushimeve verore do të mund të grumbullonte para për ta financuar shkollimin e mesëm. Por ëndrra e tij u shua të shtunën kur një makineri për prerjen e stiropolit e mori trupin e tij, duke i shkaktuar kështu vdekje të menjëhershme. Ai u varros një ditë pas. Ndërkohë që organet e hetuesisë ende nuk e kanë marrë asnjë vendim të vetëm për këtë rast.
Janë intervistuar një numër i konsiderueshëm i dëshmitareve, përfshirë këtu edhe pronarët e kompanisë së Stiropolit të cilët janë kthyer në Kosovë për intervistim nga prokuroria. Kështu i ka thënë të hënë Gazetës Express, prokurori i krimeve të rënda në Prizren, Metush Biraj.
“Pronari i kompanisë ka ardhë në Kosovë. Tash ai është duke u intervistua nga ana e prokurorisë. E kam autorizua policinë me i ba hetimet paraprake hulumtuese. Pronarin dhe dëshmitarët të gjithë do t’i dëgjojmë”, thotë Biraj.
Ai sqaron se gjatë ditës së sotme inspektorati i punës ka shkuar në vendngjarje.
“Tash pas veprimeve po presim. Ndërkohë që kemi dhënë urdhër që të ndalen punimet në atë kompani. Njëherë për njëherë nuk ka bazë për ndonjë arrestim”, thotë prokurori i këtij rasti.
Drejtues të Sindikatës së Punëtorëve të sektorit privat e kanë dënuar këtë rast duke thënë se për mosrespektim të kodit të punës nga shtetit tani edhe fëmijët kanë filluar ta humbin jetën nga neglizhenca e Ministrisë së Punës.
E ndërkohë, niveli i ulët i sigurisë në punë, por edhe pakujdesia janë identifikuar si faktorët që kanë ndikuar nga viti në vit të rriten numri i të vdekurave në vendin e punës. Sipas statistikave nga 1 janari 2018 e deri më sot kanë humbur jetën 7 punëtorë në vendet e tyre të punës.
Vdekjet dhe lëndimet e punëtorëve në vendet e punës kryesisht kanë ndodhur në sektorin e ndërtimit.
Të shtunën në Prizren u regjistrua viktima e fundit në Kosovë.