Në shtator është bërë rrafsh një vit nga vdekja e dyshimtë e katër personave në QKUK, shkruan sot Koha Ditore.
Dyshimet e para ishin që ata kishin vdekur nga përdorimi i gazit oksidul në sallat operative, i cili prodhohej jashtëligjshëm.
Ani pse hetimet kanë nisur një vit më parë, Prokuroria e Shtetit ende nuk ka asnjë provë të qëndrueshme që do ta zbardhte shkaktarin e vdekjes së katër njerëzve.
Menjëherë pas vdekjeve të raportuara në media, institucionet e drejtësisë patën deklaruar se “shkaqet e vdekjes do t’i konfirmonte ekspertiza ndërkombëtare”. Por kjo ekspertizë as që është bërë. Madje ende nuk ka as kërkesë zyrtare të këtij institucioni për ta kryer ekspertizën për vdekjet e katër pacientëve në sallat e QKUK-së.