Prokuroria jep detaje për shpërthimi në Pejë ku u lënduan dy persona

Prishtinë | 15 Gus 2024 | 15:02 | Nga Ekonomia Online

Dy persona kanë pësuar lëndime si pasojë e një shpërthimi në mbrëmjen e së martës në Pejë.

Lidhur me këtë rast nga Prokuroria Themelore e Pejës kanë thënë se janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të ndriçimit të plotë të kësaj çështje.

“Më datën 13.08.2024 sapo kam pranuar informatën për rastin, së bashku me njësit relevante policore kemi dal në vendin e ngjarjes në Pejë, lagja Jarina, ku janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, duke përfshirë edhe mbledhjen e provave. Në këtë rast janë identifikuar dy persona të lënduar. Prokuroria Themelore në Pejë, është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të ndriçimit të plotë të kësaj çështje”, ka thënë për “Betimi për Drejtësi” prokurorja e këtij rasti, Arlinda Gacaferri.

Ndryshe, Policia e Kosovës të enjten përmase raportit 24-orësh ka bërë të ditur se dy të dyshuar janë duke u trajtuar në QKUK pasi dyshohet se si pasojë e një shpërthimi ata kanë pësuar lëndime trupore.

Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur në rrugën “Halil Agusholli”, në Pejë, më 13.08.2024, rreth orës 20:00.

Në njoftim bëhet e ditur se Policia ka dal në vendin e ngjarjes dhe ka konfiskuar një armë zjarri.

“Në vendin e ngjarjes si provë materiale është gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri me tre karikator dhe 30 copë fishekë/plumba dhe dyshohet  se arma është pronë e të dyshuarve”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Rasti është iniciuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’ dhe ‘Armëmbajtje pa leje” dhe është duke u hetuar.

Të ngjashme