Mbrëmë në fshatin Besi të Prishtinës ka ndërruar jetë në rrethana ende të pasqaruara një femër 23 vjeçare.
Ndërsa sot në vendin e ngjarjes kanë dalë Policia e Kosovës bashkë me ekipet tjera të Forenzikës dhe mjeko-ligjorët, për t’u marrë me rastin.
Burime nga hetuesia i kanë thënë Gazetës Express se viktima ka një plumb në kokë.
“Prokuroria e Shtetit është duke i hetuar rrethanat e vdekjes së 23 vjeçare me inicialet B.O nga fshati Besi i Komunës së Prishtinës. Viktima është gjetur e vdekur mbrëmë rreth orës 19 e 30 në oborrin e shtëpisë. Ajo është goditur me një plumb në kokë. Vrima ka qenë vetëm hyrëse dhe jo dalëse”, kanë thënë burime nga hetuesia.
Ndërkohë Gazeta ka biseduar me mjekun kujdestar në QKUK, i cili e ka pranuar rastin.
Ai ka konfirmuar për vdekjen e viktimës.
“Mund t’iu konfirmoj se rreth orës 20:00 në klinikën emergjente të QKUK’së ka ardhë një paciente pa shenja jete. Në kokë viktima kishte pasur një plumb. Ekipet kujdestare të emergjencës e kanë konfirmuar vdekjen e viktimës”, ka thënë mjeku kujdestar në QKUK.
E ndërkohë Gazeta mëson nga burimet brenda institucioneve të drejtësisë se rasti se po hetohet në dyshimet për vrasje apo shtytje në vetëvrasje.