Prokuroria Themelore në Gjilan do të mbajë sot konferencë për media, lidhur me aksionin e mbrëmshëm në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës.
Përmes një komunikate drejtuar mediave, Prokuroria ka bërë me dije se në këtë konferencë do të të marrin pjesë përfaqësues të lartë nga Prokuroria Themelore në Gjilan, Inspektorati Policor i Kosovës dhe Policia e Kosovës.
Konferenca do të mbahet në ora 14:00.
“Ju ftojmë që të merrni pjesë në konferencën për media, të organizuar nga Prokuroria Themelore në Gjilan, lidhur me aksionin e realizuar mbrëmë në fshatin Karaçevë, komuna e Kamenicës dhe rajone tjera. Në këtë konferencë do të marrin pjesë përfaqësues të lartë nga Prokuroria Themelore në Gjilan, Inspektorati Policor i Kosovës dhe Policia e Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Ndryshe, ky operacion që vlerësohet të jetë më i madhi i këtij lloji në Republikën e Kosovës, vjen pas një hetimi gati njëvjeçar të udhëhequr nga Prokuroria e Gjilanit, lidhur me pretendimet për veprimtari të paligjshme në atë pjesë.
Në këtë aksion janë arrestuar 33 persona, prej të cilëve 10 janë zyrtarë policorë, si dhe janë sekuestruar aparate të lojërave të fatit, rreth 120 gjedhe, si dhe gjësende të ndryshme si prova materiale, që dyshohet të jenë përdorur në aktivitete kriminale.