Prokuroria jep detaje – trupi që u gjet në Novobërdë i përket biznesmenit Rexhepi, u vra për 30 mijë euro

Prishtinë | 18 Tet 2022 | 10:43 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka mbajtur konferencë për medie lidhur me rastin e rrëmbimit dhe vrasjes së biznesmenit Bedri Rexhepi, raporton Ekonomia Online.

Prokurori i rastit Armend Hamiti ka bërë të ditur se është publikuar raporti i mjekësisë ligjore, me të cilin është vërtetuar edhe identiteti i Bedri Rexhepit.

Hamiti ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj Jeton dhe Nexhat Vllasaliut, për rastin e biznesmenit Bedri Rexhepi.

Aktakuza është ngritur për veprën penale vrasje e rëndë në bashkëkryerje. Prokurori tha se motivi i vrasjes dyshohet të jenë 30 mijë euro.

Hamiti, në një konferencë për media ka thënë se dje gjatë ditës ka informuar familjarët se është konfirmuar se mbetjet mortore që janë gjetur në Novëbërdë janë të Bedri Rexhepit.

“Në bazë të të gjeturave antropologjike mjeko-ligjore, ku bën pjesë përcaktimi i profilit biologjik, krahasimit të gjetjeve otologjike, si dhe provave të tjera, është identifikuar identiteti i viktimës”.

“Motivi i kryerjes së këtyre veprave penale është i ulët. Sipas hetimit tonë, i cili ka zgjatur rreth 18 muaj, rezulton se vrasja ka ndodhur për shkak të përfitimit material për shumën 30 mijë euro. Të akuzuarit kanë besuar që Bedri Rexhepi i posedon për të cilin më pas kanë bërë plan dhe e kanë ekzekutuar”.

Me 30 shtator janë gjetur mbetjet mortore që dyshohet se i përkasin Rexhepit, i cili ishte zhdukur më 8 prill të vitit të kaluar.

Bedri Rexhepi  më 8 prill 2021 kishte dalë nga banesa e tij në rrugën B. Ndërkohë, që dyshohej se ai ishte rrëmbyer. Për këtë çështje në pranga të policisë kanë përfunduar 3 persona.

Njëri prej tyre ishte paraqitur si agjent i CIA-s, duke paraqitur fakte të rreme tek familja e biznesmenit, kurse tash së fundmi, është arrestuar edhe Jeton Vllasaliu.

Sipas familjarëve të ndërmarrësit, në ditën kritike kur Bedri Rexhepi kishte dalë nga banesa, kishte qenë nën shoqërinë e klientit të tij, Jeton Vllasaliu.

Ndërsa, një ditë pas zhdukjes, vetura ishte gjetur e braktisur në arat e fshatit Janjevë të Lipjanit dhe pa shenja për Rexhepin.

Ai punonte me tregtarë të ndryshëm, ndërkaq sipas familjarëve, ai nuk kishte pasur probleme me askënd.

Të ngjashme