Dy shtetas të Malit të Zi, Mari Milosheviq dhe Gjorgje Paviçeviq, të kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar për vrasje, një shtetas i Serbisë dhe kosovarja Laureta Zyba (valltare), përfunduan të mërkurën në pranga të Policisë së Kosovës. Një ditë pas arrestimit të tyre Policia e Kosovës bën të ditur se kapja e tyre ka ardhur si rrjedhojë e bashkëpunimit të organeve të ndjekjes në Kosovë dhe autoriteteve malazeze, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës Daut Hoxha ka pohuar se operacioni policor është zhvilluar në dy lokacione në Prishtinë dhe gjatë kontrollit janë gjetur dhe janë sekuestruar dy armë, sasi e narkotikëve, një veturë, dokumente që dyshohet se janë të falsifikuara, sasi e parave dhe gjëra të tjera.
“Policia e Kosovës në frymën e bashkëpunimit ndërkombëtar, në këtë rast pas shkëmbimit të informacioneve me autoritetet malazeze, më datën 18.07.2018, në Prishtinë, ka zhvilluar një operacion policor për identifikimin dhe arrestimin e disa shtetasve të huaj, dy nga ta të kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar e që dyshohet se janë të përfshirë edhe në vrasje”, ka thënë Hoxha.