Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në seancën e së mërkurës, prokuroria ka kërkuar dënimin e dy hetuesve policorë L.M dhe L.O, të akuzuar për korrupsion, kurse mbrojtja ka kërkuar lirimin e tyre.
Palët në procedurë e dorëzuan fjalën e tyre përfundimtare me shkrim por që e elaboruan atë këtë seancë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokurori Rafet Halimi, në fjalën e tij përfundimtare ka thënë se prokuroria ka ardhur në përfundim se është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar se janë kryer veprat penale që iu vihen në barrë të akuzuarve.
Sipas tij, të akuzuarit e kanë kryer veprën penale të marrjes së ryshfetit në vazhdimësi dhe se e gjitha fillon me takimin e tyre me D.B dhe D.H., e që kjo sipas prokurorit Halimi vërtetohet nga vetë i akuzuari L.O që në procedurë paraprake dhe nga dëshmitari D.B dhe D.H., e edhe nga vet i akuzuari M se në këtë takim ka qenë prezent.
Po ashtu, prokurori ka përmendur edhe takimet e tjera të përshkruara në aktakuzë, ku sipas tij, çdo gjë ka qenë nën masat e hetimit dhe vëzhgimit, ku është bërë ndarja e parave të pranuara në mes të akuzuarve.
Tutje, sipas tij, kryerja e kësaj vepre penale vërtetohet edhe me kamerat e sigurisë, kamerat e vëzhgimit, deklaratat e dëshmitarëve, madje i akuzuari O, sipas prokurorit Halimi është zënë në flagrancë duke pranuar ryshfet nga dëshmitari bashkëpunues dhe i njëjti paratë e zëna në xhep të tij nuk ka mundur të i arsyetoi se pse i ka marr.
Prokurori Halimi ka shtuar faktin se i akuzuari M. nuk ka mundur të e arsyetojë mesazhin telefonik të dërguar dëshmitarit bashkëpunues për ndërmarrjen e aktiviteteve të policisë për lojërat e fatit.
Ai ka kërkuar të konfiskohen paratë, armët, telefonat, paratë e dëshmitarit bashkëpunues dhe paratë tjera të gjetura në shtëpinë e të akuzuarit M., duke i propozuar gjykatës që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe që gjatë dënimit të merren parasysh rrethanat rënduese dhe lehtësues.
Si rrethanë rënduese, i njëjti e ka përmendur faktin e pozitave që kanë mbajtur të akuzuarit, ndërsa si rrethanë lehtësuese atë se kanë kontribuar në polici dhe kanë qenë korrekt në raste tjera edhe në bashkëpunim me prokurorin, se i është shkëputur marrëdhënia e punës dhe se janë mbajtës të familjeve dhe se armët e gjetura kanë qenë të vjetra dhe nga koha e luftës.
Në anën tjetër, avokati i O, Sokol Mushkolaj, ka mbetur fjalës përfundimtare të dorëzuar me shkrim dhe i ka cilësuar deklaratat e dëshmitarëve kundërthënëse dhe të paargumentuara.
Ai tha se nëse vështrohet dispozita e nenin 421 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, e që ka të bëjë me veprën penale – marrje ryshfeti, ligjvënësi është i qartë se për këtë vepër inkriminohet dhënia dhe marrja e ryshfetit, e që sipas avokatit Mushkolaj, prokurori në këtë drejtim nuk e ka argumentuar atë.
I njëjti përmendi specifikisht deklaratën e dëshmitarit M.M, duke e quajtur kundërthënëse për faktin se përmend emra të tjerë në dëshmi, andaj sipas tij, në rastin konkret nuk është argumentuar se është kryer kjo vepër penale nga i mbrojturi i tij.
I akuzuari O tha se mbetet pranë fjalës përfundimtare të mbrojtësit dhe se nuk ka çfarë të shtoj.
Kurse, mbrojtësi i të akuzuari M, avokati Skender Musa, fillimisht e kundërshtoi fjalën përfundimtare të prokurorit duke thënë se në mënyrë indirekte u pranua se mungojnë provat materiale siç janë video-incizimet, përgjimet, fotografitë dhe dëshmitarët.
“Këtë e mbështes në faktin sepse prokurori tha se kjo bazohet në deklaratat e të bashkëpandehurit. Neni 126 paragrafi 1, nën paragrafi 1.3. – si dëshmitarë nuk mund të merret në pyetje i bashkëpandehuri derisa zbatohet procedura e përbashkët penale. Në këtë proces gjyqësor që nga fillimi e deri më sot, procesi ka qenë i përbashkët, dhe asnjë deklarim të bashkëpandehurit kundër të mbrojturit tim nuk mund të merret si provë, sepse është e ndaluar me Kod”, tha avokati Musa.
Tutje, ai tha se asnjëri nga dëshmitarët nuk e ka theksuar në IPK, në prokurori apo para trupit gjykues që i kanë dhënë para të akuzuarit M., madje sipas tij, dëshmitari B. ka përmendur edhe një zyrtar tjetër policor, andaj sipas tij, prokurori me asnjë provë nuk ka arritur ta dëshmoj se i mbrojturi i tij në ditën kritike ka marr ryshfet.
Avokati Musa tha se mungesa e provave si fotografi, kamerë, incizim, është dashur të merret si provë shfajësuese nga ana e prokurorit, e sidomos deklaratat e dëshmitarëve që kanë thënë se janë nisur të takojnë persona të tjerë dhe jo të akuzuarin M.
Kurse, lidhur me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, avokati Musa tha se e gjithë aktakuza bazohet në një mesazh telefonik dhe se është vërtetuar në të gjitha fazat se dëshmitarët nuk kanë pasur biznese në Fushë Kosovë, andaj sipas tij, nuk janë përmbushur kushtet ligjore për kryerjen e kësaj vepre penale.
Po ashtu, lidhur me veprën penale të armëmbajtjes pa leje, avokati Musa tha se i mbrojturi i tij e ka pranuar fajësinë dhe ka kërkuar nga gjykata që të merr si rrethanë lehtësuese faktin se i mbrojturi i tij ka qenë pjesë e UÇK-së dhe se njëra nga armët ka qenë amanet i kushëririt të tij dëshmor dhe se i njëjti ka qenë kontribuues në çështje kombëtare para dhe pas luftës e sidomos me kontribut të veçantë në Policinë e Kosovës.
Ai ka kërkuar që të ju kthehen paratë e sekuestruara në vlerë prej 9 mijë euro duke thënë se dëshmia se ato janë para të nxjerra nga banka të dërguara nga vëllai i tij që është jashtë vendit janë dorëzuar tek gjykatësi i procedurës paraprake.
Në fund, avokati Musa ka kërkuar që gjykata të shpall aktgjykim lirues me pretendimin se nuk është vërtetuar kryerja e këtyre veprave penale ndaj të mbrojturit të tij.
Kësaj fjale përfundimtare i është bashkangjitur i akuzuari M. duke shtuar se ai betohet që nuk i ka bërë dëm shtetit të tij asnjëherë dhe se do të vazhdojë të punojë për sigurinë e vendit por asnjëherë në Polici të Kosovës.
Në këto rrethana, nga ana e kryetares së trupit gjykues, Shpresa Hasaj-Hyseni, u konstatua se shqyrtimi për këtë çështje penale juridike mori fund, dhe se shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet më 14 shkurt 2022.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 30 qershor 2020, O. dhe M., po akuzohen se në fillim të muajit nëntor 2019, në Prishtinë, afër Gjykatës Kushtetuese, në cilësinë e hetuesve në Drejtorinë e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, kishin pranuar ryshfet.
Siç përshkruhet në aktakuzë, të akuzuarit paraprakisht ishin takuar në një kafene, me D.H dhe kishin arritur marrëveshje, që në këmbim të ryshfetit mos të ndërmarrin veprime për luftimin e lojërave të fatit, ku posa kishin dalë nga kafeneja dhe kishin shkuar afër Gjykatës Kushtetuese, ishin takuar me D.B dhe nga ai kanë pranuar ryshfet në vlerë 1 mijë e 500 euro, në prezencë të D.H.
Tutje, në aktakuzë thuhet se më 26 nëntor 2019, në Prishtinë, afër Gjykatës Kushtetuese, dy të akuzuarit kishin pranuar ryshfet, në atë mënyrë që paraprakisht i akuzuari M. e kishte organizuar takimin.
Në aktakuzë thuhet se ai i ka kërkuar të akuzuarit O. që të takohet me D.H., i cili ishte takuar me D.B dhe D.H në lokalin “Central”, derisa me veturë e kishin dërguar tek banesa e tij, e më pas Berisha ia kishte dhënë 3 mijë euro O., me qëllim që të mos pengojnë veprimtarinë e kundërligjshme të lojërave të fatit.
Sipas aktakuzës, ky ryshfet ishte ndarë në mes të akuzuarve në dy pjesë nga 1 mijë e 250 euro, ndërsa 500 euro ia kishin dërguar kolegut të tyre F.Z për një rast tragjik që i kishte ndodhur.
O. po akuzohet edhe se më 9 janar 2020, në rrugën C, në Prishtinë, nga dëshmitari bashkëpunues D.H., kishte pranuar 3 mijë euro ryshfet, para të cilat dëshmitari M.M, ia kishte dorëzuar dëshmitarit bashkëpunues D.H.
Po ashtu, O. po dyshohet se më 5 shkurt 2020, në lagjen “Mati 1”, në Prishtinë, nën masat e simulimit të veprës penale të korrupsionit, paraprakisht dëshmitari M.M ia kishte dorëzuar paratë prej 3 mijë euro dëshmitarit D.H.
Më pastaj, në aktakuzë thuhet se ky i fundit ishte nisur menjëherë dhe gjatë rrugës një pjesë të kartëmonedhave i kishte ndërruar, 1 mijë e 300 euro ia kishte dorëzuar O. dhe të tjerat i kishte ndalë për vete, ndërsa O. ishte arrestuar nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe në xhepin e tij ishin gjetur paratë të cilat ishin nën masën e simulimit.
I akuzuari M. po dyshohet se më 4 dhjetor 2019, pasi ishin marrë vesh paraprakisht në një takim në fillim të muajit nëntor 2019 në Prishtinë, me dëshmitarin D.B dhe D.H, për t’i njoftuar për aksionet e policisë, i kishte dërguar informata dëshmitarit D.H me qëllim që të përfitojë dobi pasurore.
Këtë thuhet se e kishte bërë me 4 dhjetor 2019, kur dëshmitari D.H., i kishte kërkuar informata nëse kishte filluar ndonjë kontroll nga policia ndaj lojërave të fatit.
Tutje, në aktakuzë thuhet se M. përmes rrjetit “Viber”, i kishte dërguar mesazh D.H., duke e njoftuar se policia kishte filluar kontrollin në Fushë Kosovë duke i shkruar: ”D po dal vet, po këqyri se si i Fushë Kosovës po më duket paska hyrë s’ju kishin dhënë kompetencë edhe stacioneve më të hyjnë në do raste tani i dorëzojnë te ne, po unë po nisna menjëherë po këqyri çka ka”.
M. po akuzohet edhe se më 5 shkurt 2020, në fshatin Stanoc i Poshtëm, Komuna e Vushtrrisë, në shtëpinë e tij, gjatë kontrollit sipas urdhërkontrollit të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda dhe zbatuar nga IPK, ishin gjetur armë automatike të zjarrit, 2 pushkë automatike AK-47, me dy karikatorë dhe të gjitha ishin konfiskuar nga IPK-ja.
Për këto veprime, prokuroria dy të akuzuarit po i ngarkon se në bashkëkryerje kishin kryer veprën penale “Marrje ryshfeti”, ndërsa M. po e ngarkon edhe me veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Ndryshe në aktakuzë, prokuroria kishte propozuar që të pandehurve t’u ndalohet ushtrimi i funksionit në administratë publike apo funksioneve në shërbime publike pas mbajtjes së dënimit me burgim, të konfiskohen 9 mijë euro të gjetura në shtëpinë e të pandehurit M. dhe ato të gjetura në xhepin e Lavdim Osmanit në vlerë prej 1 mijë e 300 euro gjatë arrestimit.
Gjithashtu, prokuroria ka propozuar që të konfiskohen paratë e dëshmitarit bashkëpunues, D.H në vlerë prej 4 mijë e 339 euro e 43 centë dhe 48-.00 FR, edhe pse sipas prokurorisë, D.H., kishte qenë i pandehur, mirëpo me urdhër të gjykatës kishte marrë cilësinë e dëshmitarit bashkëpunues, ka bazë të mjaftueshme që vërtetohet se gjatë pranimit dhe dorëzimit të ryshfetit paratë e veta personale i ka ndërruar me paratë të cilat kanë qenë të destinuara për ryshfet. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.