Prokuroria kërkon ndalimin e ushtrimit të funksionit zyrtar ndaj kryetarit të Klinës për akuzat e konflikt interesi

Prishtinë | 24 Dhj 2020 | 18:04 | Nga Ekonomia Online

 Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar nga Gjykata e Pejës që  kryetarin e Klinës, Zenun Elezaj ta shpall fajtor dhe t’ia ndalojë ushtrimin e funksioneve në administratën publike për shkak të akuzës së konfliktit të interesit.

Një propozim të tillë, në seancën e se enjtes në Gjykatën Themelore në Pejë, e ka dhënë prokurorja e rastit Valbona Dishaj-Haxhosaj gjatë fjalës përfundimtare , raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas Haxhosaj vepra penale e konfliktit të interesit hyn në kuadër të grupit të veprave penale të korrupsionit me ç’rast ka kërkuar që të pandehurit përveç shpalljes fajtor t’i ndalohet edhe  ushtrimi i funksionit publik.

Sipas Prokurorisë së Pejës në bazë të provave të administruara në shqyrtim gjyqësor, ishte vërtetuar se kryetari Elezaj kishte marrë pjesë personalisht, duke emëruar komisonin për zhvillimin e procedurave për themelimin e marrëdhëniës së punës për pozitën mjeke në QKMF, i cili komision, kishte përzgjdhur vajzën e tij si më të suksesshme.

Prokuroria potencoi se asnjëri nga  dëshmitarit Besim Hoti, Burim Hoti, Xhemajl Raci dhe Gazmend Bojaj nuk kanë dëshmuar që kryetari Elezaj i ka njoftuar qoftë verbalisht apo me shkrim se në këtë çështje administrative nuk mund të merrte pjesë për shkak të konflikit të interesit.

Prokuroria ka propozuar që gjykata të mos ia falë besimin pjesës së deklaratës të pandehurit kur gjatë dhënies së mbrojtjes së tij kishte deklaruar se kinse i njëjti e kishte kuptuar se vajza e tij ka aplikuar në konkurs, pasi të njëjtën e kishin thirr në intervistë.

Kjo pasiqë sipas Prokurorisë një deklarim të tillë binte në kundërshtim me vetë deklaratën e të pandehurit Elezaj i cili në prokurori në pyetjen e prokurores se “A keni diskutuar në familje  me vajzën e juaj apo dikënd në familje, se vajza juaj do të aplikoj apo ka aplikuar”, i akuzuari Elezaj ishte përgjigjur “Sigurisht që po”.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të pandehurit Elezaj, avokati Kujtim Kërveshi theksoi se prokuroria me asnjë provë nuk kishte vërtetuar se i mbrojturi i tij kishte pasur dijeni se vajza e tij kishte aplikuar në konkursin për mjeke në QKMF para themelimit të komisionit.

Sa i përket pyetjes të bërë në Prokurori lidhur me këtë çështje, Kërveshi në fjalën përfundimtare  theksoi se Prokuroria këtë pyetje e kishte bërë në kohë të ndryshme dhe me dykuptimësi, të cilat sipas ligjit nuk lejohen.

Sipas mbrojtjes këtë rrethanë i pandehuri Elezaj e kishte sqaruar në shqyrtim kryesor i cili kishte deklaruar se ai nuk e kishte ditur se vajza e tij do të aplikoj para nënshkrimit të vendimit për themelimin e komisonit për themelimin e marrëdhënies së punës dhe këtë rrethanë sipas mbrojtës i pandehuri e kishte kuptuar pasi vajza e tij ishte ftuar të intervistohet.

Mbrojtja po ashtu sqaroi se aktakuza ndaj të mbrojturit të tij nuk do të ngritej sikur të ishin zbatuar rekomandimet e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, prokurorit Shqipdon Fazliu i cili kishte treguar  se konflikti i interesit ishte paraqitur pas rekomnadimit se vajza e tij është notuar me më së shumti pikë.

Avokati Kërveshi  po ashtu deklaroi se prokuroria është munduar që ta rëndojë pozitën e të mbrojturit të tij në formulimin e dispozitivin të aktakuzës në të cilin ishte cekur se Elezaj kishte formuar komisionin.

Mirëpo, sipas mbrojtjes  komisioni për zhvillimin e procedurave nuk formohet nga kryetari dhe se ky komision formohej nga zyra e personelit, ndërsa kryetari vetëm ka nënshkruar vendimet në kuadër të autorizimeve të tij dhe se i njëjti nuk kishte bërë përzgjedhjen e komisionit .

Kurse sa i përket dëshmive të anëtarëve të komisionit, Kërveshi anëtarët e komisionit nuk e kanë ditur fare faktin se vajza e kryetarit kishte aplikuar në këtë konkurs para themelit të komisionit dhe si ishte e mundur që Prokuroria vjen në përfundim se anëtarët e Komisionit janë emëruar me qëllim që ta punësojnë vajzën e kryetarit.

Mbrojtja theksoi se pasi Elezaj e kishte kuptuar se vajza e tij kishte konkuruar në vendin e punës, i njëjti  ishte vetpërjashtuar sepse  i akuzuari nuk kishte bërë nënshkrimin e kontratës së punës dhe raportin final, duke bërë shmangien e konfliktit të interesit.

“Nga veprimet e të akuzuarit në asnjë mënyrë nuk janë përmbushur elementet e figurës së veprës penale konflikt i interesit me arsyetimin se i akuzuari nuk ka marrë pjesë personalisht në marrjen e vendimit për vajzën e tij sepse në momentin e rënies në dijeni se vajza e tij është pjesë e procedurës për rekrutimin është vetpërjashtuar dhe këtë procedurë e ka udhëhequr nënkryetari i Komunës i cili edhe e ka nënshkruar kontratën e punës për Marigona Elezaj”, thuhet në fjalën përfundimtare të avokatit Kërveshi.

Avokati Kërveshi në fund të fjalës përfundimtare tha se kryetari Elezaj nuk kishte nevojë t’i ndihmonte vajzës së tij për punësim dhe se nuk ishte vërtetuar se Elezaj me dashje direkte ka marrë pjesë në procedurën e punësimit të vajzës së tij e as në mënyrë të tërthortë, duke kërkuar që i njëjti të lirohet nga aktakuza.

Kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova mori vendim që  shpallja e aktgjykimit të bëhet me 29 dhjetor 2020, duke filluar prej orës 15:00.

Sipas aktakuzës së ngritur më 9 tetor të vitit 2019, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Zenun Elezaj akuzohet se më 20 shkurt 2018, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Klinës, duke e ditur se vajza e tij, ka për të aplikuar në pozitën “Mjeke e praksës së përgjithshme”, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), në Klinë, ka marrë pjesë personalisht në këtë çështje zyrtare, duke marrë vendim për formimin e komisionit për zhvillimin e procedurave për krijimin e marrëdhënies së punës.

Sipas aktakuzës, komisioni të cilin Elezaj e kishte formuar e kishte përzgjedhur si punëtore vajzën e kryetarit të Klinës, duke e punësuar atë në QKMF-në “Nëna Terezë”, në Klinë.

Në aktakuzë thuhet se hetimet ndaj kryetarit të Klinës, kanë filluar nga kallëzimi penal i ushtruar nga Agjencia Kundër Korrupsion në Prishtinë, ku sipas opinionit të dhënë për prokurorinë, AKK-ja kishte përcaktuar se kryetari i Komunës duhet të përjashtohet nga çfarëdo çështje vendimmarrëse dhe administrative që kanë të bëjnë me ndonjë anëtar të afërm të familjes.

Prokuroria Themelore në Pejë, sipas aktakuzës, më pas ka nisur hetimet ndaj Elezaj më 26 gusht të këtij viti, ku pas analizimit të provave materiale dhe dëshmisë së dëshmitarëve dhe vet të pandehurit, kjo prokurori thuhet se ka ardhur në përfundim se ekzistojnë të gjitha elementet e veprës penale të konfliktit të interesit.

Të ngjashme