Policia e Kosovës ndaloi dy shtetas rusë në veri të Kosovës – një burrë dhe një grua – nën dyshimet se kanë kaluar ilegalisht kufirin Serbi-Kosovë.
Prokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Sllobodan Bakiq, tha se ka kërkuar dënim të detyrueshëm (gjobë me para) për shtetasit rusë dhe se vendimi pritet gjatë ditës.
Sipas burimeve shtetasit rusë u kanë thënë autoriteteve të Kosovës se kanë synuar të arrijnë në Llukovska Banja – qendër rehabilituese në jug të Serbisë, në afërsi të vendkalimit kufitar të Jarinës – dhe se sistemi i navigimit i ka dërguar në kufi me Kosovën, raporton REL.
Ata kanë thënë se nuk kanë planifikuar të hyjnë në Kosovë.
Prokurori Bakiq tha më herët për Radion Evropa e Lirë se ata, fillimisht, kanë bërë përpjekje të kalojnë vendkalimin kufitar Jarinë, porse, për shkak të mungesës së vizave, janë kthyer.
Pas përpjekjes së sërishme për të shkuar në banjë, ata kanë shfrytëzuar rrugë alternative dhe janë kapur nga policia.
Prokurori i identifikoi ata si Egor Igoreviq (Igor Krasikov) dhe Marina Vladimirovna Krasikova.
“Dy shtetasit rusë u përpoqën të hyjnë në territorin e Kosovës, por nuk i plotësonin kushtet për këtë, sepse nuk kishin vizë dhe leje qëndrimi, pra mundësinë e qëndrimit në Kosovë. Pastaj, ata përdorën një rrugë alternative në fshatin Sharpel dhe u përpoqën të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme. Aty u kapën nga një patrullë, u ndaluan dhe u proceduan penalisht. Kam vendosur masën e paraburgimit prej 24 orësh. Ne po punojmë në këtë çështje dhe ka të ngjarë që ata të paraqiten para gjykatësit pasdite”, tha Bakiq.
Policia tha më herët se dy shtetasit rusë kanë qenë duke udhëtuar me një automjet me tabela të Malit të Zi.
Me urdhër të prokurorit, vetura është konfiskuar.