Prokuroria mban fshehtë se kush po heton për sulmin e Shalës ndaj gazetarit

Prishtinë | 21 Dhj 2019 | 12:53 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka refuzuar të tregojë se kush është prokuror në rastin i cili është iniciuar kundër ministrit në detyrë të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, i cili sulmoi fizikisht një gazetar.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj është kontaktuar për të marrë emrin e prokurorit të rastit, por e njëjta ka thënë se një gjë e tillë iu është ndaluar.

“Na është ndaluar të tregojmë emrin e prokurorit të rastit. Më vjen keq por nuk mund t’ua jap këtë informatë”, ka thënë ajo, shkruan koha.net

Ulaj tutje ka shtuar se rasti po vazhdon të hetohet dhe të trajtohet si ‘sulm’.

“Palët e përfshira në rast kanë dhënë deklaratat e tyre në Polici dhe tash rasti vazhdon në Prokurori në bashkëpunim me Policinë për grumbullimin e informatave dhe provave të tjera të cilat shërbejnë për rastin”, ka thënë tutje ajo.

Ministri në detyrë, Endrit Shala, më 17 dhjetor ka goditur fizikisht gazetarin Ensar Ramadani të portalit Indeksonline në hapësirat e QKUK-së, gjatë kohës kur i njëjti po raportonte për plagosjen e një këshilltari të kryetarit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

Pas këtij rasti, Inspektorati i Policisë ka kërkuar suspendimin e policëve të cilët nuk kishin ndërhyrë gjatë sulmit të Shalës ndaj gazetarit.

Shala nga Policia është intervistuar dy ditë më vonë, më 19 dhjetor. Ai në përgjigjet e tij për mediat e ka mohuar akuzën.

Të premten janë publikuar edhe pamjet nga kamerat e sigurisë ku shihet Shala duke e goditur atë.

Ndërkohe lidhur me rastin ka pasur reagime të ndryshme nga shoqëria civile. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka kërkuar nga kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj që të shkarkohet Shala derisa e ka ftuar të kërkojë falje publike. Gjithashtu ky Asociacion ka kërkuar nga kryetari i Nismës Fatmir Limaj të distancohet nga rasti.

Juristja për media, Flutura Kusari, sulmin ndaj gazetarit e ka cilësuar si sulmin më të rëndë ndaj gazetarisë në vitin 2019.

Ajo tutje ka shtuar se është shumë e rëndësishme të bëhet publik emri i prokurorit të rastit, gjithashtu të tregohet pse nuk janë marrë masa ndaj Shalës.

Kujtojmë se Demokracia Studentore përmes një komunikate ka paralajmëruar protesta nëse Haradinaj nuk e shkarkon nga posti i ministrit në detyrë, Endrit Shala.

Të ngjashme