Prokuroria Themelore në Prizren, gjatë vitit të kaluar ka ngritur dy aktakuza për vjedhje të shërbimeve ndaj dy personave tashmë të ndjerë, R.B.B dhe R.Rr.B. Por, Gjykata në Suharekë ka pushuar procedurën ndaj tyre.
Aktakuzën e parë, kjo prokurori e ka ngritur më 25 mars 2021, ndaj të akuzuarit R.B.B., duke e ngarkuar atë me veprën penale “Vjedhja e shërbimeve”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Por që Gjykata Themelore në Prizren, dega në Suharekë, më 9 nëntor 2021, me aktvendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, jashtë shqyrtimit gjyqësor ka hudhur aktakuzën në fjalë, duke pushuar procedurën ndaj të akuzuarit, e gjithë kjo duke u bazuar në certifikatën e vdekjes të lëshuar nga Zyra e Gjendjes Civile në Suharekë, e cila ka vërtetuar se i akuzuari ka vdekur më 6 gusht 2020.
Ndërsa, aktakuzën e dytë, prokuroria e ka ngritur më 12 prill 2021, ndaj të akuzuarit R.Rr.B, duke e ngarkuar atë me veprën penale “Vjedhja e shërbimeve”.
Gjykata Themelore në Prizren, dega në Suharekë, më 10 nëntor 2021, sipas aktvendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, jashtë shqyrtimit gjyqësor ka hedhur këtë aktakuzë dhe ka pushuar procedurën ndaj të akuzuarit, me arsyetimin se gjykata ka siguruar certifikatën e vdekjes së të akuzuarit, të lëshuar nga Zyra e Gjendjes Civile në Suharekë, e cila certifikatë ka vërtetuar se i akuzuari R., kishte vdekur më 15 janar 2019.
Ndryshe, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në nëntor të 2019-ës në një konferencë për medie kishte trajtuar çështjen e ngritjes së aktakuzave për personat e vdekur, ku kishte publikuar raportin “Prokurorët në Kosovë ngrisin aktakuza ndaj të vdekurve”.