Prokuroria e Shtetit i ka bartur Prokurorisë Themelore në Prishtinë kërkesën për të hetuar pajisjen me pasaportë diplomatike të disenjatorit Valdrin Sahiti.
Kjo është bërë e ditur nga këshilltari i kryeministrit, Albin Kurti, Durim Berisha.
Ai theksoi se i mbetet institucioneve të drejtësisë të konsiderojnë nëse shitja e fustaneve konsiderohet interes i jashtëzakonshëm shtetëror.
Duhet përkujtuar që fakti se Valdrin Sahiti posedon pasaportë diplomatike u bë publik javë më parë.
Madje Sahiti nuk kishte hezituar të fliste për këtë çështje duke pyetur nëse “E meriton apo jo”.
Valdrin Sahiti thuhet se ndër vite është i pajisur me pasaportë diplomatike, gjë të cilën jo çdokush mund ta ketë.
Lidhur me këtë nga Presidenca e Kosovës kanë deklaruar se presidentja nuk i ka lëshuar pasaportë diplomatike askujt, asnjëherë.
Bekim Kupina, Këshilltar i Presidentes Vjosa Osmani, ka theksuar se pyetjet e tilla duhet t’iu parashtrohen qeverisë paraprake.
“Presidentja as nuk lëshon e as nuk merr pasaporta diplomatike. Pra nuk i ka lëshuar pasaportë diplomatike asnjëherë askujt. Për qindra pasaporta të raportuara në media, pyetjet duhet të drejtohen tek Qeveria paraprake, sepse janë lëshuar gjatë qeverisjes së tyre”, ka shkruar këshilltari i Osmanit.