Javën që lamë pas, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), kanë ndërruar jetë tre persona.
Deri më tani ende nuk janë bërë të ditura arsyet e vdekjes së këtyre personave, edhe pse tashmë Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili ka urdhëruar të gjitha inspektoratet e MSH-së që të nisin hetimet e pavarura dhe të detajuara.
Lidhur me këtë rast, Prokuroria e Shtetit tashmë ka filluar hetimet për të zbardhur arsyet e vdekjes së këtyre personave.
“Ju njoftoj se Prokuroria ka filluar hetimet lidhur me vdekjen e tre (3) pacientëve në QKUK”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për Telegrafin.
Ndonëse Prokuroria ka filluar hetimet vetëm për tre pacientët, nga e dita e enjte janë raportuar edhe dy raste të tjera të vdekjes pas operacionit.
Kështu ka bërë të ditur vetë Qendra Klinike Universitare e Kosovës, pak minuta më parë përmes një komunikate.
“Menjëherë janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të hulumtuar “dyshimet” e ngritura për ndonjë parregullsi të mundshme si i parasheh edhe legjislacioni në fuqi. QKUK-ja kërkon nga mediet dhe opinioni publik të jenë të kujdesshëm duke lënë hapësirë për hulumtim nga organet kompetente”, thuhet në njoftimin e QKUK-së.
Të marten po ashtu rreth orës 16:00, ka ndodhur një tjetër vdekje e cila është është cilësuar si e dyshimtë nga Policia.
“Një mashkull K/Shqiptar ka informuar se bashkëshortja e tij, e cila ishte duke u trajtuar në QKUK, ka ndërruar jetë. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, thuhet në raportin e Policisë.