Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit është mbledhur në orën 11:00 të ditës së sotme për të vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, tashmë deputet i Partisë Socialiste.
Vetë Tahiri ka preferuar t’i drejtohet në këmbë rrugës për në Kryesinë e Kuvendit, i ndjekur nga simpatizantë të shumtë që e mbështesnin.
Me gjithë këmbënguljen e mediave për t’i marrë një prononcim, ish-ministri është treguar hermetik, duke thënë vetëm se duhet të kini durim edhe 5 minuta.
Prokuroria: S’duam një mandat arresti, por heqjen e imunitetit
Kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Bujar Hajdarmataj i cili i parashtroi Këshillit të Mandateve kërkesën e Prokurorisë për heqjen e mandatit të deputetit Sajmir Tahiri, tha se qëllimi nuk është një mandat arresti për Tahirin, por heqja e imunitetit që të mund të hetohet lidhur me dyshimet për përfshirjen e tij në trafik ndërkombëtar droge.
Sipas tij, procedimi ndaj deputetit të PS ka ardhur pas hetimeve të bëra nga prokuroria për krime të rënda prej kohësh ndaj grupit kriminal të Habilajve e më tej pas publikimit të përgjimeve nga autoritetet italiane, nga ku rezulton se emri i Tahirit është i lidhur disa herë me dhënie-marrje mite nga anëtarët e bandës kriminale.
“Duke iu referuar të dhënave , nisëm një procedim tjetër për këtë nisur nga dokumentet e policisë italiane, edhe për deputetin Tahiraj, pasi nga të dhënat rezultonte se kishte biseda komprometuese lidhur me të, qoftë për pjesëmarrjen e tij në këtë grup kriminal, por edhe në dhënie e marrje mitesh.
Duke qenë se të dhënat mbi Habilajt u bënë publike, ndërhymë në Babicë duke sekuestruar sasi të mëdha droge. Kishim të dhëna se këta persona e ushtronin aktivitetin në qetësi të plotë, krijuam dyshimin se kjo ndihmë krijohet dyshimi i arsyeshëm se është i përfshirë në këtë aktivitet edhe Tahiri.
Na ka rezultuar se Tahiri më 5.11.2013 e kishte automjetin e tij shitur tek shtetasi Artan Habilaj. Me pas ky automjet është ripërdorur nga Tahiri në vitet. 2013-2014. Me këtë automjet Tahiri ka udhëtuar në Greqi. Automjetin e ka çuar në Greqi Artan Habilaj dhe është kthyer nga vetë Tahiri. Nga 2013 deri në prill 2017 asnjëherë nga policia e shtetit nuk është referuar një material për aktivitetin kriminal të këtyre personave, ndërkohë që Italia hetonte. Kemi bindjen e plotë se Tahiri është i përfshirë në këtë aktivitet kriminal”, tha Hajdarmataj.
Akuzat që rëndojnë mbi Tahirin sipas prokurorit janë ‘Trafikim i lëndëve narkotike i kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal’ dhe ‘Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë’.
Përfaqësuesit e prokurorisë në mbledhjen e sotme në këshillin e mandateve, ku do të vendoset për heqjen e ose jo të imunitetit të deputetit Sajmir Tahiri, kërkuan nga kryetari Gramoz Ruçi që kjo mbledhje të zhvillohet me dyer të mbyllura, për shkak të dokumentacionit sekret që disponon prokuroria lidhur me çështjen çka sipas tyre, mund të vërë në rrezik sipas tyre sekretin hetimor.