Prokuroria për aksionin e djeshëm: U arrestuan tre persona, sekuestrohen afër 5 kg drogë, dy vetura, armë e municion

Prishtinë | 23 Pri 2025 | 12:49 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje lidhur me aksionin anti-drogë të zhvilluar të martën në Prishtinë, në të cilin u arrestuan tre të dyshuar për shitblerje të narkotikëve.

Sipas Prokurorisë, pas një pune hetimore dhe duke i zbatuar masat e veçanta hetimore, Prokurori i Shtetit dhe Gjykata Themelore në Prishtinë kanë arritur të identifikojnë një rrjet të personave të dyshuar për veprat penale ”Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Aty thuhet se u sekuestruan afër 5 kg substanca narkotike, tre telefona, dy vetura, dy pistoleta, 64 fishkë dhe afër 4 mijë euro para të gatshme.

“Në rastin konkret, me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar tre (3) persona të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale dhe gjatë këtij operacioni janë sekuestruar substanca narkotike me peshë të përgjithshme katër (4) kg e 945.27 gramë, tre (3) telefona, dy (2) vetura, dy (2) pistoleta, gjashtëdhjetë e katër (64 fishekë) dhe para të gatshme prej afro katër mijë (4,000) eurosh”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se Prokurori i Shtetit, në përputhje me afatin ligjor do të parashtrojë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve.

“Hetimet do të vazhdojnë në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet përkatëse, të cilat po ndërmarrin masa hetimore për zbardhjen e rastit në tërësi”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme