Prokuroria pret prova nga Ambasada turke për ekstradimin ose jo të shtetasit turk

Prishtinë | 16 Nën 2017 | 14:25 | Nga

Shtetasit turk me inicialet U.T, i është ndërprerë masa e paraburgimit me zëvendësimin e masës së lirimit në dorëzani i cili ditë më parë ishte arrestuar nga organet e Policisë së Kosovës në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar nën dyshimin për dhënien e ndihmës financiare organizatave që kanë lidhje me Lëvizjen Gylen në Kosovë.

Kështu bëri të ditur në një prononcim për Telegrafin prokurori i rastit nga Prokuroria Speciale e Kosovës, Ali Rexha.

“Po presim prova nga Ambasada e Turqisë në Kosovë, ndërsa Gjykata vendos a ka bazë për ekstradim apo jo. Është në dorëzani, pranë familjes së vet. Çka kam prova i prezantoj, përndryshe në fund gjykata vendos”, ka thënë prokurori Rexha.

Edhe avokati i tij, Adem Vokshi në një prononcim për Telegrafin ka treguar se personi është liruar me një garancion bankarë prej pesë mijë euro, i është marrë pasaporta dhe personi në fjalë ka premtuar se nuk ka për ta lëshuar Kosovën deri në përfundimin e procedurës së ekstradimit.

Ai po ashtu tha se në bazë të marrëveshjes që Kosova ka me shtetin turk dhe në bazë të ligjit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar ekstradimi nuk lejohet për dy arsye: për bindje politike dhe nëse ai person për të cilën kërkohet ekstradimi mund t’i nënshtrohet torturave apo trajtimit çnjerëzor në shtetin që e kërkon.

“Në bazë të marrëveshjes që ka Republika e Kosovës me Republikën e Turqisë për ekstradim është neni 3 i cili thotë se nuk lejon ekstradimin për dy arsye: nëse janë në pyetje bindjet politike dhe nëse ai person për të cilën kërkohet ekstradimi mund t’i nënshtrohet torturave apo trajtimit çnjerëzor në shtetin të cilin e kërkon. Edhe ligji për Bashkëpunimin Juridik Ndërkombëtarë në lëmin penale të Kosovës i cili në nenin 17 po ashtu parasheh mos ekstradim për bindje politike apo nëse është i kërkuar për trajtim mizor dhe çnjerëzor”, ka thënë Vokshi.

Ndryshe, ditë më parë shtetasi turk me inicialet U.T ka qenë në ndalim që nga data 27.10.2017 nga organet policore të Kosovës në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar nën dyshimin për dhënien e ndihmës financiare organizatave të Lëvizjes Gylen në Kosovë. Gjykata Themelore fillimisht i kishte caktuar 40 ditë paraburgim atij.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme