Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari tha për KALLXO.com se ende nuk kanë marrë raportin nga Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe nga ekspertiza që i është bërë automjetit me të cilën pësuan aksident të shtunën e kaluar dy pjesëtarët e Policisë së Kosovës, Malësor Dashi dhe Armend Trena.
“Ekspertiza e automjetit me të cilin kanë pësuar aksident dy policët është bërë por ende nuk kemi raport në lidhje me të edhe autopsia e policit të gjetur në Lepenc është bërë por ende nuk kemi marrë raport për autopsinë e tij”, tha Jashari.
Të enjten e kaluar, ekipet e shpëtimit kanë gjetur në lumin Lepenc trupin e pajetë të policit Malësor Dashi ndërsa kërkimet për policin e dytë, Armend Trena, janë duke vazhduar.