Prokuroria e Krimeve të Luftës i ka dorëzuar Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë urdhëresën për zgjerimin e aktakuzës kundër Ramush Haradinajt me prova të reja.
Urdhëresa do të përkthehet deri në fund të kësaj jave dhe do të dërgohet në Francë lidhur me një vendim për kërkesën e Serbisë për ekstradimin e Haradinajt, i është thënë agjencisë Tanjug në Ministrinë e Drejtësisë, raportojnë mediat serbe.
Ministria e Drejtësisë e ka përcjellë në Francë kërkesën për ekstradimin e Haradinajt me dokumentacionin shoqërues, për hetimin e krimeve për të cilat është i dyshuar dhe që është iniciuar në vitin 2004.
Urdhëresa për zgjerimin e hetimeve ka të bëjë me veprat të cilat nuk ishin të përfshira në hetimin kundër Haradinajt, që është udhëhequr që nga viti 2004, e në bazë të të cilit është lëshuar urdhërarresti ndaj tij.
Serbia e kërkon Haradinajn për krime që nuk janë përfshirë në aktakuzën e Tribunalit të Hagës e për të cilat Tribunali e kishte liruar.
Autoritetet gjyqësore serbe pretendojnë se kanë prova të reja që nuk janë paraqitur në Hagë.