Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), në tryezën e organizuar me rastin e publikimit të raportit “Performanca e drejtësisë në ndjekjen dhe gjykimin e korrupsionit”, ka evidentuar dallime të theksuara në efikasitetin e trajtimit të korrupsionit ndërmjet viteve 2024 dhe 2025, raporton Ekonomia Online.
IKD ka vënë në pah se viti 2024 ka qenë dukshëm më pak efikas, duke shënuar ngritje të aktakuzave me shumë vite vonesë nga koha kur dyshohet se janë kryer veprat penale.
Sipas raportit, bazuar në monitorimin e IKD-së, nga gjithsej 444 persona të akuzuar për korrupsion në vitet 2024-2025, vetëm 11 prej tyre janë identifikuar si zyrtarë të profilit të lartë, që përbën vetëm 2.47%.
Gjatë prezantimit të raportit, hulumtuesi i lartë në IKD, Gzim Shala, ka theksuar se Prokuroria e Shtetit ka shënuar regres në trajtimin e lëndëve të korrupsionit gjatë viteve 2024 dhe 2025.
Ai shtoi se, kur analizohen të akuzuarit për korrupsion, vetëm një pjesë shumë e vogël, 2.4 për qind, përfshin profile të larta, ndërsa gjatë vitit 2024 nuk ka pasur asnjë aktakuzë të ngritur për korrupsion të profilit të lartë.
Po ashtu, sipas të dhënave të raportit, në një numër të madh të aktakuzave për korrupsion, Prokurori i Shtetit nuk ka specifikuar fare lartësinë e dëmit të pretenduar, por që vlera më e shpeshtë e dëmit të pretenduar sillet nga 100.000 deri në 500.00 euro.
“Prokurori i Shtetit më 2024 dhe 2025, ka pësuar regres në trajtimin e numrit të lëndëve, për shkak se gjatë periudhës përkatëse nuk ka mundur të kryejë lëndë aq sa ka pranuar. Numri i lëndëve të pazgjidhura në fund të periudhës raportuese është rritur. Gjatë vitit 2024 Prokurori i Shtetit ka ngritur 293 aktakuza, ndërkaq nëse i shohim gjatë vitit 2025, në nëntëmujorin e parë ka ngritur 151 aktakuza. Kur ta analizojmë profilin e të akuzuarve përgjatë këtyre viteve, i bie se vetëm 2.4 për qind e rasteve të të akuzuarve për korrupsion janë të profilit të lartë. Në vitin 2024, bazuar në gjetjet e IKD-së, nuk ka pasur asnjë aktakuzë të ngritur për korrupsion të profilit të lartë, bazuar në shpjegimin apo në definimin që korrupsionit të profilit të lartë i bën ligji për Prokurorinë Speciale. Që tregon që përballë këtij numri kaq të madh të të akuzuarve për korrupsion, rezulton që fokus nuk ka qenë shumë korrupsioni i profilit të lartë. Në raportet e kaluar të publikuara nga IKD ishte gjetur se në rastet e korrupsionit aktakuzat për korrupsion për zyrtarët në rastet e profilit të lartë ngriheshin vetëm kur zyrtarët përfundonin mandatin e tyre dhe në një farë forme përfundonin ndikimin e tyre që vinte si rezultat i mandatit që ata ushtronin”, tha ai.
Afrim Shala, gjyqtar në Gjykatën Supreme, tha se sistemi gjyqësor ka arritur një efikasitet mbi 100% në trajtimin e rasteve të korrupsionit, duke shtuar se Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) në vitin 2022 ka hartuar një Plan Strategjik për trajtimin e rasteve të korrupsionit dhe sipas këtij plani, trajtimi i rasteve të tilla ka qenë prioritet nga kryetarët e gjykatave.
Shala foli edhe për komisionin e themeluar për monitorimin e efikasitetit të këtij plani strategjik, duke shtuar se përshtypjet e tyre në atë kohë kanë qenë negative. Tha se kishin konstatuar se gjykatat nuk kanë arritur që rastet e tilla t’i trajtojnë me prioritet.
“Nëse e shohim që nga viti 2022 e tutje, shohim që Gjykatat kanë treguar progres të theksuar në trajtimin e rasteve të tilla. Një aspekt i tillë është konfirmuar edhe në raportin tuaj, nga i cili shihet se sistemi gjyqësor ka arritur një efikasitet mbi 100%”, tha Shala.
Ai theksoi se sipas Kodit të Procedurës Penale, detyrë e gjyqtarit është që qysh në momentin e pranimit të aktakuzës duhet ta vlerësojë rregullsinë e saj para se të caktojë seancë të shqyrtimit fillestar.
“Një problem ka qenë edhe shtyrja e vazhdueshme e seancave. Për të adresuar këtë problematikë, ne vazhdimisht e kemi rekomanduar parimin e mbajtjes së seancave bllok dhe një parim i tillë ka sjellë rezultate të caktuara. Një problem tjetër ka qenë edhe mostrajtimi në mënyrën e duhur dhe në kohën e duhur të aktakuzave për shkak se nëse e merrni me e shiku Kodin e Procedurës Penale, aty sipas Kodit është detyrë e gjyqtarit që qysh në momentin e pranimit të aktakuzës ta vlerësojë paraprakisht rregullsinë e aktakuzës para se me e caktu seancën e shqyrtimit fillestar”, tha Shala.
Afërdita Bytyqi, gjyqtare në Gjykatën e Apelit, tha se kjo Gjykatë janë krenarë me efikasitetin e trajtimit të lëndëve. Sipas saj, në Gjykatën e Apelit lëndët e korrupsionit maksimumi që trajtohen është brenda tre muajve.
“Prej monitoruesve të juaj po edhe prej raportit, kemi konstatu se në Gjykatën e Apelit nuk ka vonesa në këtë lëmi, apo në këtë çështje ku trajtohen këto lëndë, ne jemi edhe krenarë, efikasiteti në mundësitë tona është në maksimum. Flitet për numër të vogël 3-4 lëndë të cilat ju thoni se janë prej vitit 2017-2018 në proces, që ato vijnë nga shkalla e parë, në Gjykatën e Apelit. Mund të them se në Gjykatën e Apelit lëndët e korrupsionit maksimumi është brenda tre muajve trajtohen, kemi ndonjë rast që mund të mbërrijë edhe një vit për t’u trajtuar, sepse kjo ka të bëjë me kompleksitetin e lëndës apo çështjes që e shkakton këtë vonesë”, ka thënë Bytyqi.
Arian Gashi, prokuror dhe anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), tha se vetëm 48% të aktakuzave të korrupsionit kanë kaluar në gjykata në vitin 2024, ndryshe nga veprat tjera penale që janë deri në 100%, ndërsa deri në shtator 2025 ka pasur një progres deri në 60%.
“Nëse e shikojmë këtë përqindje të kalueshmërisë së aktakuzave të lëndëve të korrupsionit nëpër gjykata, këtu konsideroj që është sfida kryesore, sepse nëse e krahasojmë me aktakuzat tjera, mbi 90% kalojnë, ndërsa te lëndët e korrupsionit kemi një përqindje që nuk e kalon as 50%. Sikur në këto lëndë nuk do të kishin prova fajësuese, në mungesë të të cilave pse po kalojnë fazën e kontrollit të akuzës dhe nuk po kthehen në plotësim të aktakuzës nga Gjykata në Prokurori në një fazë të hershme apo gjatë fazës së kundërshtimit të provave dhe hedhje të aktakuzës”, ka thënë Gashi.

