Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka hudhur poshtë kallëzimin penal të bërë nga Florentina Shala-Gashi, ndaj kryetarit të Komunës së Skenderajt, Fadil Nura lidhur me pretendimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Ketë e ka bërë të ditur, vetë kryetari Nura përmes një postimi në median sociale, Facebook, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Përgjegjësia, ndërgjegjja dhe profesionalizmi, më kanë udhëhequr dhe do të më udhëheqin gjithmonë në shërbim të interesit të qytetarëve dhe në zbatim të ligjit”, ka shkruar ai, duke i bashkangjitur edhe faqen e parë të aktvendimit të Prokurorisë.
“Hedhet kallëzimi penal i parashtruar nga Florentina Shala Gashi, të cilin PSRK e kishte pranuar me datën 18.10.2024, kundër të dyshuarit Fadil Nura, kryetari aktual i Komunës së Skenderajt për të cilin dyshohej se me veprimet e tij të përshkruara si në kallëzim penal, kishte konsumuar veprën penale siç vijon: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar e përcaktuar me nenin 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, sepse në këtë rast nuk ekziston dyshimi i arsyeshëm se personi i sipërshënuar e ka kryer veprën penale të lartpërmendur, në pajtim me nenin 84 paragrafi 2 nën-paragrafin 2.1 të KPPRK-së”, thuhet në aktvendimin e PSRK-së që ka ndarë Nura.
Çka thuhet në arsyetimin e PSRK-së?
Sipas arsyetimit të Prokurorisë Speciale, të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, “jo çdo veprim në kundërshtim me detyrën zyrtare, nënkupton edhe veprën penale pasi veprimi i paligjshëm mund të jetë: delikt civil, kundërvajtje, delilt administrativ”.
“Vepra penale e keqpërdorimit te autoritetit dhe detyrës zyrtare, në njërën nga tri variante e saja: 1. keqpërdorimi, 2. tejkalimi i kompetencave dhe 3. mosndërmarrja e veprimeve, mund tē kryhet vetëm me dashje, ku element qenësori veprës penale është qëllimi, për përfitim material për veten ose tjetrin, apo për ti shkaktuar dëm dikujt, në rastin konkret nuk kishte qëllim as përfitim as për dëm dhe këtë element qenësor, pa të cilën nuk ka vepër penale”, thuhet në arsyetim.
Tutje, në arsyetim thuhet se vendimi i kryetarit të Komunës për t’i ndryshuar pozitën e punë Shala-Gashit, dhe duke anuluar konkursin përmes të cilit ajo ishte zgjedhur si zëvendësdrejtore e QKMF-së, mund të mos jetë në harmoni më Ligjin për Zyrtarët Publik dhe atë të punës, mirëpo për këtë çështje sipas PSRK-së, është vendosur më vendimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë me të cilën është refuzuar masa e përkohshme e sigurisë.
Andaj, sipas prokurorisë në rastin konkret nuk mund të argumentohet veprimi me vetëdije i vullnetshëm i paligjshëm i të dyshuarit apo qëllimin për përfitim apo dëm.
Megjithatë, Prokuroria Speciale thuhet se me qëllim që ky rast të marr trajtimin e duhur dhe të plotë lënda duhet të shqyrtohet edhe ne drejtim te veprës penale “Cenimi i të drejtave në marrëdhëniet e punës”, nga neni 218 i KPRK-së.
Kështu, për trajtimin e kësaj vepre apo të ndonjë vepre tjetër penale lëndën ia ka dërguar në kompetencë territoriale, Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.
Në kallëzimin penal të ushtruar nga Shala-Gashi, thuhet se kryetari i Komunës, ia kishte ndërruar asaj pozitën e punës nga zëvendësdrejtore e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), në Skenderaj, duke e caktuar Sekretare të Shërbimit të Administratës dhe Personelit. Ndërsa, në pozitën e zëvendësdrejtorit kishte caktuar Ferat Kabashin.
Shala- Gashi, në kallëzim penal kishte thënë se pozitën e zv/drejtores e kishte ushtruar deri në ardhjen e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në pushtet.
Aty thuhet se më 28 dhjetor 2021, kryetari i ri i Komunës, Fadil Nura kishte vendosur që Shala-Gashit t’ia ndërrojë pozitën duke e kthyer në pozitën më të ulët që kishte pasur, më koeficient H-6-850. Po me këtë datë, në pozitë të saj pa konkurs kishte caktuar Ferat Kabashin nga pozita e infermierit në pozitën e zv/drejtorit të QKMF-së, po ashtu me koeficientin (H-6, 850).
Sipas saj, për një vit të dy kanë mbajtur koeficientin e njëjtë, kështu pretendon se kryetari ka dëmtuar buxhetin e Komunës për 17 mijë e 418 euro e 50 centë nga data e emërimit e deri më tani
Në anën tjetër, sipas këtij kallëzimi penal, pas një viti Shala-Gashi ka kërkuar përmes e-mailit nga kryetari Nura ta kthejë atë në pozitën për të cilën ka të lidhur edhe kontratën, por që nuk ka marrë përgjigje. E njëjta, aty thuhet se i është drejtuar Inspektoratit të Punës. Ky i fundit, i ka shqiptuar vërejtje dhe kishte obliguar kryetarin Nura t‘i eliminojë parregullsitë.
Pas kësaj, thuhet se më 28 shkurt 2023, Nura kishte marrë vendim për anulim të konkursit për zëvendësdrejtor, duke obliguar departamentin për burime njerëzore të bëjë shkëputjen e kontratës më Shala-Gashin për këtë pozitë dhe ta kthejë në pozitën zyrtare për personel dhe administratë.
Për këto shkelje, sipas një vendimi të Inspektoratit të Punës, Nura është gjobitur me 1 mijë e 500 euro.
Shala-Gashi është drejtuar edhe me padi në Gjykatë Themelore në Mitrovicë, ku shkalla e parë ia ka aprovuar në tërësi këtë padi për ta kthyer në vendin e punës së zëvendësdrejtore, ndërsa rasti tashmë gjendet në Gjykatën e Apelit.
Në kallëzim penal, ndër të tjera thuhet se me hyrjen në fuqi të Ligjit për Pagat, institucionet kanë qenë të obliguara të përgatisin listën e punonjësve që të bëhet barasvlerësimi i koeficientëve të vjetër me ata të ri, por që Ferat Kabashi është lënë pa koeficient me komentin që do të bëhet rishqyrtimi pas përfundimit të procesit gjyqësor.
Në lidhje me ushtrimin e kallëzimit penal ndaj tij, kryetari Nura për “Betimi për Drejtësi” ishte shprehur se është e drejtë e secilit nëse mendon që i janë shkelur të drejtat.