Prokuroria Themelore në Prishtinë-Departamenti i Përgjithshëm-Njësiti për Dhunë në Familje, ka iniciuar rastin “dhunë në familje”, kundër të dyshuarit (tani i ndjeri) L.S, pas raportimit të rastit nga policia.
“Sipas shkresave të lëndës rezulton se vajza e të dëmtuarës, S.S. (tani e ndjera), e para e kishte raportuar rastin në polici, ku menjëherë janë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe është intervistuar e dëmtuara S.S., e cila në deklaratën e saj ka theksuar se me këtë datë kishte pasur mosmarrëveshje me ish-bashkëshortin e saj dhe i njëjti e kishte sulmuar fizikisht, por që ka refuzuar të pranojë ndihmën mjekësore pasi ka qenë diçka momentale dhe nuk dëshiron që më tutje të vazhdojë me rastin”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Komunikata e plotë:
Prokuroria Themelore në Prishtinë-Departamenti i Përgjithshëm/Njësiti për Dhunë në Familje, njofton opinionin se pas raportimit të rastit nga policia, më 03.03.2021, ka iniciuar rastin “dhunë në familje”, kundër të dyshuarit (tani i ndjeri) L.S.
Sipas shkresave të lëndës rezulton se vajza e të dëmtuarës, S.S. (tani e ndjera), e para e kishte raportuar rastin në polici, ku menjëherë janë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe është intervistuar e dëmtuara S.S., e cila në deklaratën e saj ka theksuar se me këtë datë kishte pasur mosmarrëveshje me ish-bashkëshortin e saj dhe i njëjti e kishte sulmuar fizikisht, por që ka refuzuar të pranojë ndihmën mjekësore pasi ka qenë diçka momentale dhe nuk dëshiron që më tutje të vazhdojë me rastin.
Prokurori i Shtetit, ka autorizuar policinë që të ndërmarrë edhe veprime tjera të nevojshme hetimore, ku është intervistuar i dyshuari, i cili e ka mohuar ta ketë sulmuar ish-bashkëshorten e tij. Për të sqaruar ende këto rrethana të ekzistimit të veprës penale, prokuroria i ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, ashtu që, më 04.03.2021, ka ftuar në polici për deklaratë shtesë të dëmtuarën S.S., por e njëjta përsëri nuk është paraqitur në Stacion policor.