Aktakuzë ndaj tre personave për vjedhjen e telefonit të Lumezit

Prishtinë | 02 Qer 2017 | 16:27 | Nga

Departamenti për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër të pandehurve L.K., M.M. dhe N.G., për veprat penale: Vjedhje e rëndë nga neni 327 par. 2 pika 2.6, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës; Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, nga neni 374 par.1 i KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së; Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë nga neni 333, par.1, i KPRK-së; Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale, nga neni 345, par.1 i KPRK-së, si dhev Sulmi ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, nga neni 410 të KPRK-së .

Sipas aktakuzës, të pandehurit më 22 nëntor 2016, rreth orës 03:25, në lagjen ’’Veternik’’ në Prishtinë, të pajisur me maska dhe armë zjarri, me qëllim të përvetësimit të sendeve të huaja, të luajtshme dhe që vetes t’i sjellin përfitim pasuror të kundërligjshëm, duke depërtuar me forcë kanë hyrë në shtëpinë e të dëmtuarit Aleksandër Lumezi-Kryeprokuror i Shtetit, ku kanë marrë një telefon celular të markës „Samsung“ të papërdorur dhe në momentin që kanë dëgjuar familjarët duke lëvizur janë larguar me shpejtësi nga shtëpia.

I pandehuri L.K. gjatë deklaratës së dhënë në Polici e ka pranuar se e ka kryer veprën penale të vjedhjes në shtëpinë e të dëmtuarit Aleksandër Lumezi.

Po ashtu sipas aktakuzës tre të pandehurit L.K., M.M. dhe N.G., nga muaji tetor deri në muajin dhjetor 2016, përveç vjedhjes së lartcekur, në shtëpi të ndryshme kanë kryer edhe shtatë raste të vjedhjeve, të veturave të shtrenjta, stolive të arit dhe gjësendeve tjera me vlerë. Gjatë bastisjes së shtëpive të tre të pandehurve dhe veturës së njërit prej tyre janë gjetur prova të ndryshme materiale.

Andaj me këto veprime të pandehurit ngarkohen se kanë kryer veprat e lartcekura penale. Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës kompetente që të pandehurit t’i shpallë fajtorë për veprat e kryera penale dhe t’i dënojë sipas ligjit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme