Nën patronatin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe nën mbështetjen e Ambasadës Amerikane në Prishtinë është mbajtur takim regjional në Javën për të Drejtat e Viktimave të Krimit, me mesazhin “Mbroje viktimën, parandalo riviktimizimin”.
Ky takim u shënua me pjesëmarrje të drejtuesve të institucioneve vendore e partnerëve ndërkombëtar, i udhëhequr nga përgjegjësi i Departamentit për të Mitur në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Fatmir Behrami, me qëllim të rritjes së bashkëpunimit dhe koordinimit profesional e institucional, për të ofruar me gjithë kapacitetet tona mbrojtje për viktimat e krimit, si dhe rikuperim e rehabilitim të plotë gjatë gjithë procedurave ligjore.
Kjo tryezë regjionale shërbeu për t’i vënë në pah sfidat me të cilat ballafaqohen institucionet gjatë punës në rastet kur ofrohet ndihmë e mbrojtje viktimave të krimit, si dhe gatishmëri e përgjegjësi institucionale në mbrojtjen e të drejtave të viktimave të krimit.
Në fund të diskutimeve përgjatë këtij takimi u potencua se, duhet mundësuar të gjithë viktimave një proces i drejtë dhe koherent, me theks në rehabilitim të plotë për viktimat e krimit, në mënyrë që t’iu sigurojmë një jetë normale nga ajo çka kanë përjetuar.