Prokurorët përfunduan 10 906 lëndë për katër muaj

Prishtinë | 07 Sht 2017 | 16:31 | Nga

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka mbajtur sot takim pune me kryeprokurorët e prokurorive themelore, Prokurorinë Speciale dhe Prokurorinë e Apelit.

Gjatë këtij takimi sipas kërkesës së kryeprokurorit Lumezi të gjithë kryeprokurorët e prokurorive të vendit, raportuan për muajt maj, qershor korrik dhe gusht 2017 për punën e prokurorive që i drejtojnë, si dhe për punën e secilit prokuror të asaj prokurorie.

Nga paraqitja e këtyre raporteve u pa se gjatë këtyre katër muajve ka pasur rezultate të mira të punës dhe rritje të efikasitetit të punës në të gjitha prokuroritë themelore, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, si dhe në Prokurorinë e Apelit.

Vetëm gjatë muajve maj-gusht shtatë prokuroritë themelore kanë pranuar në punë 9127 lëndë dhe kanë përfunduar 10906 lëndë, që do të thotë se prokurorët kanë përfunduar 1779 lëndë më shumë sesa kanë pranuar në punë.

·         Prokuroria e Apelit ka pranuar në punë 1828 lëndë dhe ka përfunduar 1828, pra të gjitha lëndët e pranuara;

·         Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka pranuar në punë 101 lëndë dhe ka përfunduar 89;

·         Prokuroria Themelore në Prishtinë ka pranuar në punë 3141 lëndë dhe ka përfunduar 3657;

·         Prokuroria Themelore në Ferizaj ka pranuar në punë 1255 lëndë dhe ka përfunduar 1954;

·         Prokuroria Themelore në Gjilan ka pranuar në punë 947 lëndë dhe ka përfunduar 841;

·         Prokuroria Themelore në Gjakovë ka pranuar në punë 730 lëndë dhe ka përfunduar 720;

·         Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka pranuar në punë 558 lëndë dhe ka përfunduar 951;

·         Prokuroria Themelore në Pejë ka pranuar në punë 1154 lëndë dhe ka përfunduar 1417;

·         Prokuroria Themelore në Prizren ka pranuar në punë 1342 lëndë dhe ka përfunduar 1366.

 

Gjatë këtij takimi, gjithashtu kryeprokurorët e të gjitha prokurorive raportuan në veçanti edhe për edhe rastet që ndërlidhen me zgjedhjet, listat e veteranëve të UÇK-së, si dhe korrupsionit. Kryeprokurori Lumezi kërkoi nga kryeprokurorët që t’i trajtojnë  me prioritet dhe t’i kushtojnë vëmendje të veçantë rasteve që ndërlidhen me zgjedhjet, listat e veteranëve të UÇK-së, si dhe korrupsionit.

Poashtu gjatë këtij takimi u diskutua edhe për bashkëpunimin juridik ndërkombëtar në çështjet penale. Lidhur me këtë çështje tashmë të gjitha prokuroritë kanë caktuar nga një prokuror, të cilët do të jenë pika kontakti për lëndët që kanë të bëjnë me bashkëpunimin juridik ndërkombëtarë.

Për këtë çështje kryeprokurori Lumezi njoftoi se do të caktoj një prokuror nga zyra e tij si koordinator për bashkëpunim juridik ndërkombëtarë dhe tani e tutje të gjitha lëndët që kanë të bëjnë me bashkëpunimin juridik ndërkombëtarë duhet të kalojnë përmes Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, me qëllim të mbikëqyrjes së tyre dhe rritjes së efikasitetin në bashkëpunimin penal ndërkombëtarë të Prokurorit të Shtetit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme