Pasditen e së mërkurës cak i një grabitje të armatosur në Suharekë ka qenë argjendaria “DIAKOS”. Dy ditë pas grabitjes për Insajderin detaje ka dhënë Prokurorja e Prizrenit Ervehe Gashi.
Prokurorja ka bërë me dije se ka përparime në drejtim të hetimeve, por që nuk u lëshua në deklarata më të hollësishme për shkak të hetimit.
“Ato çka i kam deklaruar edhe më herët ato qëndrojnë. Akoma jemi duke i hetuar pistat. Informata më të detajuara nuk mundemi me dhënë se munden me prishë hetimin, kemi përparime në atë drejtim. Jemi duke u marrë me sigurimin e provave teknike, materiale. Në vazhdimësi jam në kontakt me policit hetues dhe jemi duke punu në këtë drejtim”, ka thënë ajo për Insajderin.
Vlera e arit që u vodh në argjendarinë po vlerësohet të jetë afro 250 mijë euro. Kështu konfirmonte vet Prokuroria Gashi për Insajderin.
Ajo tha se grabitja në Suharekë mund të jetë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
Për rastin është deklaruar edhe pronari i argjendarisë Arbër Bytyqi.
Bytyqi ka shpjeguar rastin në detaje se si ka ndodhur, tregoi edhe për momentin kur arma iu drejtuar atij.
“Ka hyrë nga dera është afruar, unë kam qenë prapa, e ka kapërcyer tezgën këtu, më është drejtuar me armë, ‘Duart lartë, plaçkitje’, jam shtrirë për tokë, është ardhë më ka marrë nga prapa, mi ka lidhë duart, kokën poshtë më thoshte ta mbajë, pastaj kanë vazhduar të thejnë të marrin gjëra. I kanë marrë të gjitha çka kanë qenë të ekspozuara, të arit”, tha ai për Klan Kosova.
“Ma kanë drejtuar direkt armën, ka hyrë me shpejtësi të madhe edhe vetëm jam dorëzuar, nuk kam reaguar, kokën poshtë ma kanë mbajtë, nuk kam parë më shumë”, deklaroi ai.
Raporti i policisë:
Policia e Kosovës dha detaje për rastin. Përmes raportit të publikuar në ‘Facebook’, konfirmohej se 4 persona e kryen grabitjen e armatosur, e që dy zyrtarë policorë janë lënduar, gjatë sulmit.
“Suharekë / 22.11.2023 – 15:45. Është raportuar se katër persona të dyshuar të maskuar dhe të armatosur kanë kryer grabitje në një argjendari. Gjatë grabitjes të dyshuarit kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policor të cilët i ishin përgjigjur rastit. Si pasojë, dy zyrtar policor kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtit pas pranimit të tretmanit mjekësorë janë liruar. Në vendngjarje kanë dalur të gjitha njësitë përkatëse policore dhe janë ndërmarrë veprimet operative dhe hetimore në identifikimin e personave të dyshuar”, thuhet në njoftimin e policisë.