Seanca e ardhshme në rastin “Pronto”, e caktuar më 21 dhjetor, mund të jetë edhe e fundit, raporton KTV.
Këto janë dyshimet që i ka ngritur Prokurorja e Prokurorisë Speciale, Drita Hajdari, e cila po heton këtë rast.
Në një përgjigje për KTV-në, Hajdari ka thënë se ka informata të bazuara se aktakuza ndaj Adem Grabovcit, ministrit Besim Beqaj dhe të akuzuarve të tjerë në rastin “Pronto” do të hidhet poshtë.
Prokurorja Hajdari, këtë deklarim e ka dhënë pas refuzimit të kërkesës së saj për përjashtimin e gjyqtarit Shashivar Hoti, nga gjykimi i këtij rasti.
“Dyshimet e mia për objektivitetin dhe paanshmërinë e gjyqtarit Shashivar Hoti u ngritën për shkak të faktit se ai kishte i paralajmëruar paraprakisht të pandehurit se ata kanë të drejtë që të pajtohen për të mos lexuar aktakuza, edhe pse ligji përcakton se në shqyrtimin fillestar prokurori e lexon aktakuzën. Po ashtu, dyshimi im bazohet në disa informata se aktakuza në këtë rast do të hidhet poshtë në seancën e ardhshme”, ka thënë ajo.
Madje, prokurorja Hajdari ka thënë se edhe të pandehurit e kanë informacionin se aktakuza do të hidhet poshtë.
“Këtë informatë padyshim e kanë edhe të pandehurit të cilët kanë hyrë në sallën e gjykimit, sikurse po hynë në sallën e Kuvendit të Kosovës, duke u përshëndetur me “Pronto”. Për këtë arsye, unë kërkova përjashtimin e gjyqtarit Shashivar Hoti nga ky rast. Me shumë keqardhje kam cekur se nuk mund t’i besoj gjyqtarit, i cili në kundërshtim me ligjin nuk lejon leximin e aktakuzës dhe tek i cili të pandehurit vijnë si në “aheng”.
Gjykata Themelore e Prishtinës e ka cilësuar të pabazuar kërkesën e prokurores Hajdari për përjashtimin e gjyqtarit Shashivar Hoti.
Në një përgjigje me shkrim të kësaj gjykate, thuhet se kryetarja e Themelores së Prishtinës, Afërdita Bytyqi, kërkesën e prokurores e ka cilësuar si të pabazuar në ligj.
“Në rastin konkret, në kërkesën e parashtruar nga prokurorja Drita Hajdari, Prokurore në PSRK-së, nuk është prezantuar ndonjë rrethanë e cila do ta arsyetonte përjashtimin e Kryetarit të Trupit Gjykues nga procedimi dhe vendosja e kësaj çështjeje penale siç parashihet me dispozitat e nenit 39 të KPP-së. Prandaj, Kryetarja e Gjykatës konstatoi se kërkesa është e pabazuar në ligj”.
Prokuroria Speciale, në prill të këtij viti, ngriti aktakuzën për veprën penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”.
Seanca e shqyrtimit të dytë ndaj të akuzuarve në rastin “Pronto” është me 21 dhjetor.