Promovimi i produkteve vendase është synimi kryesor i “Festës së Verërave”, e kthyer tashmë në traditë në qytetin e Pogradecit.
E shndërruar në festë të përvitshme që tërheq gjithmonë e më shumë vizitorë në qytetin juglindor të vendit, këtë vit ky aktivitet do të organizohet në datat 21, 22 dhe 23 dhjetor në bulevardin “100 hapa drejt Evropës”.
Të gjithë prodhuesit tradicionalë të verës janë të ftuar që të nxjerrin produktin e këtij viti, të shoqëruar me një panair të gatimeve tradicionale.
Edhe këtë vit nuk do të mungojnë tezgat në shërbim të të gjithë të interesuarve që dëshirojnë të tregtojnë verën e tyre apo produkte ushqimore tradicionale. Po ashtu bizneseve u krijohet mundësia që të promovojnë gatimet e tyre tradicionale, punimet artizanale, transmeton atsh.
Prodhimi i verës mbetet një traditë për qytetin e Pogradecit, ndërsa verërat pogradecare në vite, kanë marrë edhe disa çmime ndërkombëtare.