Albanologu japonez, Kazuhiko Yamamoto ka promovuar sot librin “Kodi zakonor fisnor dhe konceptet e Biblës hebraike”.
Libri i cili është promovuar në Institutin Albanologjik në Prishtinë, është studim krahasimtar i koncepteve të Biblës Hebraike dhe Kanunit. Libri është përkthyer nga shkrimtari dhe albanologu Gëzim Aliu.
Ai tha se gjetjet që ka bërë autori janë befasuese, shkruan Ekonomia Online.
“Sipas autorit të këtij studimi krahasimtar, thelbësore në këtë përplasje nuk ishin problemet teologjike, ndonëse ishin të rëndësishme, por ishin, siç konstaton Yamamoto ‘Kontraditat etike dhe logjike, mes Jezusit dhe ligjit të Moisiut duhet të kenë qenë shkaku kryesor i vdekjes së Jezusit në kryq’”, tha Aliu.
Autori i librit, Kazuhiko Yamamoto tha se për herë të parë për kanunin kishte lexuar në romanin e Ismajl Kadaresë “Prilli i thyer”. Ai gjithashtu pretendon se askush para tij nuk e ka bërë një studim në të cilin diskutohet për kanunin si e drejtë fundamentale e njeriut.
“Kur kam lexuar romanin e shkruar nga Ismajl Kadare”Prilli i thyer”, kam mësuar për kanunin për herë të parë dhe kam gjetur gjashtë konceptet, të nderit, besës, mikut, gjakut, bukës dhe hakmarrjes. Ne japonezët i kemi pasur këto koncepte deri më 1871-1872. Kodi i Tsay Rai është i ngjashëm me këtë. Në ligjëratë unë doja të them se sisteme të ndryshme etike të kanunit kanë filluar rreth 700 mijë vjet më parë në një regjion të vogël në Afrikë”.
Autorit i janë dashur 25 vite për përfundimin e librit i cili ka dy muaj që është botuar.