Në ambientet e shkollës “Ibrahim Rugova” në Obiliq, u promovua libri “Djalit të Kosovës” i autorit Fadil Curri.
Ky libër i kushtohet dëshmorit të kombit Ferid Esad Curri, i cili ra dëshmor në luftën e fundit.
Me këtë rast nën patronazhin e kryetarit të Obliqit, Xhafer Gashi, u shënua dhe Dita e Veteranëve në këtë komunë.
Kryetari Gashi tha se në këtë ditë gërshetohen dhembja dhe krenaria. Ai tha se po të mos ishte UÇK-ja, sot nuk do ta gëzonim lirinë.
Ndërsa porositi që të lihen anash dëshirat partiake dhe të bëhemi bashkë që ta gëzojmë lirinë për të cilën u sakrifikuan shumë dëshmorë.
Fehmi Mjekiqi, kryetar i Shoqatës së Veteranëve të Luftës në Obiliq, tha se me anë të këtij libri promovohen dhe kujtohen dëshmorët e kombit.
Zymer Mehani, recensent i librit, shtjelloi historinë e librit. Mes tjerash, aty tregohet dhe për shpërnguljen e familjes Curri në Mazgit; deri te lufta e fundit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pjesë të këtij libri janë edhe një numër poezish të autorëve e nxënësve të shkollës “Ibrahim Rugova”, shpjegoi recensenti Mehani..
Adnan Sogojeva, redaktor i librit, tha se ky libër paraqet pasqyrë të mirë dhe besnike të luftës çlirimtare të UÇK-së, “të cilës i mbesim tërë jetën borxh”.
Autori i librit, Fadil Curri, tha se shumicën e atyre që janë shprehur në libër veç i thanë parafolësit. Ai nënshkroi dhe dhuroi disa kopje të librit për pjesëmarrësit.
I pari që e mori librin ishte kryetari i Komunës, Xhafer Gashi. Nënkryetari Nysret Kelmendi tha se ky libër është dhurata më e mirë për fundvit.