Në Bibliotekën Kombëtare është promovuar libri teorik-publicistik i profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Sadri Ramabaja, “Federata shqiptare, kohezioni i shtetit-komb në BE”.
Në libër, nëpërmjet debatit për shtetin modern, respektivisht për shtetin-komb në kontekstin e integrimeve evropiane, Ramabaja trajton një temë të vështirë, por me një analizë empirike, u tha në promovim.
Ramabaja paraqet të shkuarën e shtetit shqiptar, të tashmen, si dhe projekton një Federatë Shqiptare si të ardhmen politike të shqiptarëve në Ballkan. Për librin e Ramabajës folën njohës vendorë dhe të huaj të teorisë politike dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare.
Stephan Lipsius, politolog gjerman, tha se koncepti themelor i librit dhe mendimit të rajonit kanë të bëjnë me procesin integrues në rajonin evropian, si dhe mënyrën shkencore me shtete të tjera të rajonit që e kanë si qëllim Bashkimin Evropian të Kosovës dhe të Shqipërisë në një Republikë federale.
Profesor dr. Hekuran Rrapaj, foli po ashtu rreth rëndësisë së librit të Ramabajës. “Gjatë leximit të këtij libri mu kujtuan disa elemente, disa autorë të cilët kanë bashkëvepruar mendimin dhe veprimin e tyre politik. Më së shumti më është kujtuar Ukshin Hoti, besoj se nuk gaboj nëse e krahasoj profesorin Sadri më të ndjerin, Ukshin Hotin, sepse me këtë libër sikur don të vazhdojë mendimin politik të Ukshin Hotit… Janë të rrallë autorët të cilët veprën e tyre, shkrimin e tyre e bashkëshoqërojnë edhe me veprimin politik”, tha Rrapaj.
Autori i librit, Sadri Ramabaja, tha se mendimi i korifeut të mendimit shqiptar, profesorit shumë të nderuar, fatin e të cilit ende s’e kemi të qartë – Ukshin Hoti, është pjesë e përkushtimit të tij dhe e vazhdimit të mendimit të tij politik.