Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (AShAK) ka promovuar librin e Arsim Bajramit “Gjenocidi i Serbisë në Kosovë – aspekte juridike”, raporton Ekonomia Online.
Gjyljeta Mushkolaj, profesoreshë e Drejtësisë në Universitetin e Prishtinës, tha se qëllimi i librit është që brezat që vijnë të kenë përgjegjësi që të përcjellin kujtimet e viktimave dhe të mbijetuarve të gjenocidit serb.
Sipas saj, detyrën e nisur nga profesori Bajrami duhet quar deri në fund në mënyrë që të dëshmohet përgjegjësia e Serbisë, e të mos përsëritet e kaluara.
“Qëllim madhor i librit është që brezi ynë dhe brezat që vijnë do të kenë përgjegjësi për të përcjellë kujtimin e viktimave dhe të mbijetuarave të gjenocidit të Serbisë në Kosovë që në mënyrë të përsëritur e ka përcjellë popullin tonë sidomos gjatë luftës së fundit duke e mbajtur shtetin serb ndërkombëtarisht përgjegjës për gjenocid për krimet”.
“Libri ka arritur që të dëshmojë dhe dokumentojë që gjenocidi nuk ndodhi pa paralajmërim dhe ky është thelbi i gjenocidit që e dallon atë nga gjenocidet e tjera. Sot detyra jonë që profesor Bajrami e nis është që të qojmë deri në fund që ta bëjmë të përgjegjshëm shtetin e Serbisë dhe kështu mund ta ndalojmë që të mos përsëritet e kaluara”, tha ajo.
Recensenti i këtij libri, profesor Jusuf Bajraktari tha se ky libër bazohet në tri qëllime, e para të argumentoj ligjërisht se krimet e Serbisë në Kosovë plotësojnë 5 kriter e Konventës së OKB, e dyta të paraqes argumente për kryerjen e krimeve gjenocidiale dhe e treta studimi synon që të tregojë të vërtetën për luftën në Kosovë.
“Libri aspekti juridke paraqet një studim profesional dhe shkencor, i cili trajton gjenocidin në Kosovë duke analizuar krimet në Kosovë. Objekti kryesor i këtij studimi është argumentimi juridik. Krimet e Serbisë në Kosovë paraqesin kombinacionet e politikave gjenocidiale të Serbisë në Kosovë”.
“Ky studim sipas autorit ka tre qëllime, të argumentoj ligjërisht se krimet serbe në Kosovë plotësojnë 5 kriter e konventës së OKB për krimet e gjenocidit, e dyta të paraqes argumente me faktet të gjenocidit serb në Kosovë që ka qenë e planifikuar nga shteti serb. E treta studimi synon të tregoj të vërtetën e luftës në Kosovë, më qëllim të parandalimit të tendencave. Studimi paraqet një hulumtim disa vjeçar të autorit në analizimin e burimeve vendore dhe ndërkombëtare”, tha ai.
Profesori i të Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu tha se ky botim është i rëndësisë së veçantë në aspektin juridik-penal, historik e kushtetues si dhe në aspektin ndërkombëtar, raporton EO.
“Botimi është 620 faqe, është me rëndësi të veçantë në aspekti juridik penal, historik kushtetues dhe në aspektin thjeshtë kombëtar. Krimi i gjenocidit është krimi më i madh që mund të kryente gjatë luftës”, tha ai.
E autori i këtij librit, profesor Arsim Bajrami, tha se Serbia ka tentuar ta shkatërrojë popullin kosovar në mënyrë që ajo të jetojë në Kosovë.
“Në të vërtet për gjenocidin është shkruar dhe është fol mjaftë në kohën e pas luftës, janë bërë libra të tërë historik, publicistik, por ka munguar një studim i mirëfilltë juridik. Sepse çështja e gjenocidit është çështje juridike dhe mu për këtë arsye unë kam marr këtë rrugë”, tha ai.