Në vigjilje të Ditës Ndërkombëtare të Librit, nën organizimin e Komunës së Gjilanit në Universitetin “Kadri Zeka” sot është promovuar libri “Lulet dhe Lotët e Kosovës”, i autorit francez dhe mikut të madh të viteve më të vështira për Kosovën dhe Gjilanin, lobuesin për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, Jean Yves Carlen.
Pos autorit, pjesëmarrës në ngjarje ka qenë edhe kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, përfaqësues nga Ambasada e Francës në Kosovë, shkrimtarë e artdashës.
Kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, tha se Jean Yves Carlen e ka takuar në vitin 1995 së bashku me veprimtarin Ilir Mustafa, duke thënë se këtë rrugë të gjatë të vështirësive e robërisë, poeti dhe miku i Gjilanit e ka kaluar bashkë me popullin e Kosovës.
Kryetari Haziri ka thënë se ishte pikërisht marrëveshja e bashkëpunimit me Komunës së Luterbach të Francës, e nënshkruar në vitin 1996, që i dha një shpresë qytetit të Gjilanit, për të shtuar se për komunën tonë dhe qytetarët e saj, Jean Yves Carlen do të mbetet përherë një autor, poet, një mbështetës dhe një krah i fuqishëm për Gjilanin në rrethana shumë të vështira.
“Sot e asaj dite, vazhdon mbështetja e shoqatës “MAN” ndaj arsimtarëve të gjuhës frënge e nxënësve dhe për këtë i falënderoj shumë”, tha Haziri, duke uruar poetin për librin e tij.
Poeti francez, Jean Yves Carlen, pasi ka falënderuar kryetarin Haziri për bashkëpunimin 20-vjeçar, me pak fjalë, tha se këtë libër ia kushton veprimtarit të madh të Gjilanit dhe Kosovës, Ilir Mustafa, të cilin theksoi se e njohu në angazhimet e tij kryesore dhe organizim të lobit shqiptarë në Francë përmes shoqatës “Kosova-Ansambël”.
Kurse, duke e vlerësuar lartë veprën e francezit, shkrimtari Anton Nikë Berisha, ka thënë se është kënaqësi e veçantë të vëresh marrëdhënien e autorit me vendin tonë, me botën tonë dhe me njerëzit tanë.
Vlerësim të lartë për këtë libër ka dhënë edhe shkrimtari dhe publicisti i njohur gjilanas, Sabit Rrustemi, përderisa studiuesi dhe kritiku letrat, Sherafedin Kadriu, tha se mjafton veç titulli i veprës “për të na rikthyer përmallshëm e trishtueshëm, por edhe edhe guximshëm në vitet 90’ta në shekullin e pacifizmit në Ballkanin plot barot”.
“Ky formësim e kushtëzim i autorit, i nxjerrë nga konteksti kohor e letrar, ka shpërfaqur rezistencë pa dhunë në njërën anë dhe shtypje diktatoriale në anën tjetër”, tha Kadriu.
Këtë libër me poezi e ka përkthyer profesori Tahir Dalipi, i cili tha se është përkthimi i tij i parë dhe se e pati mjaftë të vështirë të nxjerrë në dritë për lexuesit shqiptarë.