Në shtetin amerikan të Iowas promovohen mundësitë për investime në Kosovë

Prishtinë | 22 Kor 2018 | 10:48 | Nga

Nën organizimin e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në shtetin Amerikan të Iowas, si dhe me mbështetje të Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) promovoi në Des Moines të Iowas mundësitë për investime në Kosovë. Në këtë aktivitet morën pjesë biznese dhe shefa ekzekutivë të asociacioneve të biznesit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfaqësues të Federatës Botërore të Odave Ekonomike, por edhe shteteve të tjera si Brazili, Australia, Franca, Ishujt Kajman, etj.

Në hapje të këtij aktiviteti, Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Iowa, Xhavit Gashi, foli për zhvillimet e Kosovës, si dhe për partneritetin e veçantë shtetëror ndërmjet Kosovës dhe Iowas. Ai falënderoi autoritetet ushtarake, ekonomike, edukative dhe kulturore të Iowas për avancimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve në shumë fusha të tjera, transmeton Ekonomia Online.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, tha se pavarësisht se Kosova është shtet i ri, ka shënuar përparim të madh në aspektin e të bërit biznes, që është reflektuar edhe në raportin e Bankës Botërore që mat lehtësinë e të bërit biznes, por edhe atë të The Heritage Foundation i cili mat liritë ekonomike globale, i cili rendit Kosovën shumë më mirë se shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe shumë shtete anëtare të Bashkimit Evropian.

Siç njofton OEAK pëmes një komunike, Zeka njoftoi përfaqësuesit e pranishëm të bizneseve për vendimin e Qeverisë së Kosovës për themelimin e Zonës së Veçantë Ekonomike Amerikane në qytetin e Gjakovës. Ai tha se investitorëve potencialë amerikanë, brenda zonës do t’u ofrohet tokë pa pagesë, lirim nga dogana për linja të prodhimit dhe lëndë të parë, depo doganore brenda zonës, si dhe një zyrë e cila do të kryente të gjitha procedurat e aplikimit për leje ndërtimi dhe leje të tjera operative në emër të kompanive amerikane.

Ai më tej shtoi se Kosova ofron një mjedis miqësor për kompanitë amerikane, ndërsa  Zona si e tillë është model unik në rajon dhe më gjerë i dedikuar për kompanitë amerikane.

Në këtë aktivitet, i pranishëm ishte edhe Gjenerali Timothy Orr, Komandanti i Gardës Nacionale të Iowas, Kim Heidemann nga organizata e Shteteve Simotra të Iowas dhe Debi Durham, Drejtore e Autoritetit të Zhvillimit Ekonomik të Iowas.

Kjo e fundit, organizoi edhe një takim për kompaninë amerikane “Ideal Energy”, e cila prezantoi para Konsullit të Përgjithshëm dhe drejtorit të Odës Ekonomike Amerikane, planin e tyre për investime në gjenerimin e energjisë alternative në Kosovë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme